Jasharaj paralajmëron grevë, fajëson Kurtin e Nagavcin: Do të protestojmë më 1 maj

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut, po paralajmëron mundësinë që greva të rikthehet në sektorin e arsimit. Sipas “babait të greva”, siç ndryshe njihet Jasharaj, pakënaqësitë e anëtarësisë së SBAShK-ut janë shtuar. Në një intervistë për EO, Jasharaj ka treguar se nga ku burojnë këto pakënaqësi.

Në këtë intervistë, Jasharaj ka theksuar sërish se shqetësimi kryesor është ligji i pagave, duke e quajtur rritjen e pagave nga ana e Qeverisë Kurti si “ironike”.

“E këto pakënaqësi lidhen kogja shumë me ligjin për pagat, sepse kishim një pjesë kogja mirë të punëtorëve të arsimit që ishin të pakënaqur me vet ligjin dhe ato që u solli ligji e pakënaqësia u shtua shumë me vendimin e pa konsultuar të qeverisë Kurti, ngritjen ironike të koefcinetit nga 105 në 110 euro lëvizje kjo që i shtoi pakënaqësitë te anëtarësia ngase kemi lëvizje ironike për vetëm 28 euro ne kishim kërkuar me shkresa së paku 130 euro, jo për tu bërë të pasur punëtorët e arsimit por të përballen më lehtë me kërkesat e kohës dhe çmimet që vazhdimisht po ngriten”, tha Jasharaj.

Kreu i SBAShK-ut i ka përmendur me emër e mbiemër kryeministrin Albin Kurtin dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, duke ankuar për mënyrën e trajtimit

“Në këtë rast një shkollë të tillë të Kurtit po e vazhdon që nga greva e shtatorit zonja Nagavci, e cila përkundër kërkesave tona nuk gjen kohë për tu takuar duke u arsyetuar se gjoja qenka shumë e angazhuar ose në Kosovë, ose jashtë. Ajo po harron se në mungesë të dialogut situatat sa vijnë e shtohen”, ka shtuar Jasharaj.

Jasharaj ka treguar se me 1 maj do të ketë protestë simbolike nga ana e SBAShK-ut.

“Dhe kemi ardhur në këtë moment kur në mbledhjen e fundit me kryetarët e niveleve komunale dhe univesiteteve u shtuan zërat që në mungesë të dialogut, që është faji vetëm i qeverisë dhe i askujt tjetër duhet, me hy në diçka tjetër dhe kur nuk ka dialog, dihen ka veprime sindikale dhe unë jam i sigurt se kryetarët marrin detyra që të punojnë me anëtarësinë që e bisedojnë dhe jam i sigurtë se me 1 maj do të kemi një protestë në numër të kufizuar fillimisht do shkojmë me kryetarët e shoqatave të sindikatave, qerdheve, universiteteve me kryetarët e nivelit komunal dhe me stafin qendror këtu si alarm se po fillohet me veprimet sindikale”, ka theksuar kreu i SBAShK-ut.

Jasharaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që të rikthehet greva në arsim.

“Unë nuk e di nuk vendos vetëm uroj që protesta e 1 Majit të shkoj mbarë, pa probleme uroj që ti bashkohen edhe sindikata tjera SBASHKUT, ….për shkak se ne komunikojmë vazhdimisht me ta e edhe mediat e dinë se janë pakënaqësi kogja të mëdha edhe tek policia jonë e nderuar dhe kolegu im kryetari kishte ngritur vazhdimisht zërin…. dhe unë mendoj se ata në masën tonë e kanë të pamundur por edhe ata do jenë në mënyrë simbolike sepse janë në masë të vogël por do jenë në protestën e 1 Majit në mënyrë që ta alarmojmë dhe ti tregojmë qeverisë se pakënaqistë janë të mëdha dhe ne tash po kërkojmë veprime sindikale, çfarë do ndodh pas një majit nuk varen nga unë varet nga zëri i anëtarësisë dhe unë jam betuar se çdo kërkesë të shumicës së anëtarësisë do jem në ballë të atij aktiviteti qoftë në protestë qoftë ne grevë” – ka sqaruar Jasharaj.