Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica, ka thënë se jozyrtarisht ka kuptuar që jashtë Klinikës së Ortopedisë në QKUK të dielën në mbrëmje ka pasur të shtëna me armë.
Ai ka thënë për Ekonomia Online se janë shtuar forcat e policisë në këtë klinikë.
“Nga ekipi kujdestar jam informuar në mëngjes se ka pasur shtim të masave të sigurisë nga Policia dhe brenda Klinikës nuk ka pasur ndonjë problem. Mirëpo jozyrtarisht kemi dëgjuar se ka pasur të shtëna jashtë klinkës, mirëpo brenda ne klinikë nuk ka pasur”, tha ai.
KOHA ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për të konfirmuar rastin por të njëjtit kanë thënë se nuk kanë informacione.
Jashanica ka shtuar se në këtë klinikë janë duke u trajtuar dy pacientë të përfshirë në përleshjen në lokalin e njohur në kryeqytet “Bon Vivant”.
Ai ka konfirmuar se në këtë Klinikë po trajtohet edhe A.P., i përfshirë në përleshje, por që është jashtë rrezikut për jetë.
Njëri nga pacientët sqaroi ai, ka fraktura të hapur të regjionit të bërrylit e shkarkuar nga armët e zjarrit, dhe tjetri me plagë tejshpuese.
Ai shtoi se nga pesë pacientët që ishin duke pranuar në këtë Klinikë është liruar gjatë së hënës një vajzë. Sipas tij, vajza në fjalë kishte dalë nga spitali me vetëdëshirë pasi gjendjen shëndetësore e kishte të mirë.
“Te premten në orët e mbrëmjes kanë ardhur pesë pacientë në Klinikën e Ortopedisë. Gjendja e tyre ka qenë jashtë rrezikut për jetë, mirëpo ka pasur lëndime nga armë të zjarrit. Menjëherë të shtunën i është hequr predha pacientit në regjionin e krahut dhe ka shkuar në shtëpi, pacienti i cili s’ka qenë i inkriminuar me Policinë ai me vetëdëshirë ka shkuar në shtëpi pasi nuk ka pasur lëndime të sistemit vaskular”, ka thënë ai. “Kurse tjetri me lëndime të muskujve dhe indeve të buta është duke qëndruar për arsye se është i inkriminuar me rastin. Sot ka shkuar edhe pacientja që ka predhën, nuk ka deficite nero-vaskulare, do të thotë gjendja e tyre e përgjithshme është e mirë. Aktualisht në trajtim janë dy pacientë, njëri me fraktura të hapura të regjionit të bërrylit e shkaktuar nga armët e zjarrit, dhe tjetri me plagë tejshpuese që mendoj që edhe këtë do ta lirojmë ne shtëpi, kështu që do të mbetet vetëm një”, tha ai. /EO