Alex Whiting do ta zëvendësojë Jack Smithit dhe ka marrë detyrën si ushtrues detyre i Prokurorit të Specializuar në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Në komunikatën e lëshuar nga Gjykata Speciale në Hagë thuhet se Whiting do të ushtrojë funksionet e ushtruesit të detyrës të Prokurorit të Specializuar deri në emërimin e një Prokurori të Specializuar të ri.
“Ai ka saktësisht të njëjtat kompetenca me ato të një Prokurori të Specializuar dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës së ZPS-së në asnjë aspekt”, thuhet në komunikatë.
Whiting, 58 vjeç, është prokuror me kombësi franko-amerikane me përvojë të gjerë në procedime penale në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Ka punuar në ZPS që nga qershori i vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, dhe duke filluar nga muaji gusht 2020 si zëvëndësprokuror i Specializuar.
Midis vitit 2010 dhe 2013, Whiting ka qenë pjesë e Zyrës së Prokurorit në GJPN ku ka punuar fillimisht si Koordinator i Hetimeve, duke mbikëqyrur të gjitha hetimet, dhe pastaj si Koordinator i Procedimeve Penale, duke mbikëqyrur të gjitha ndjekjet penale.
Midis vitit 2002 dhe 2007, Whiting ka punuar për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) ku ka qenë kryeprokurori i çështjes në gjykimin e Fatmir Limaj, Isak Musliu, dhe Haradin Bala, dhe kryeprokuror i çështjes në gjykimet e Milan Martiq dhe Dragomir Millosheviq.
Përpara se të bëhej pjesë e TPNJ-së, Whiting ka qenë prokuror federal në SHBA, fillimisht në Departamentin e Çështjeve Penale në Divizionin për të Drejtat Civile në Uashington DC dhe pastaj me Zyrën e Prokurorit të SHBA-së në Boston, Massachusetts, ku është përqendruar në raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Smith ka dhënë dorëheqje nga ZPS-ja dhe ka marrë postin e Këshilltarit Special në Shtetet e Bashkuara për të mbikëqyrur dy hetime penale në zhvillim lidhur me ish-presidentin Donald Trump, i emëruar në këtë post nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick B. Garland.