Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, të premten e kaluar kanë votuar në lexim të dytë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Pas miratimit, ky Ligji është dekretuar nga Zyra e Presidencës dhe ka hyrë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Qeveria e Kosovës me ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale, parasheh kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro.
Kryeministri i vendit Avdullah Hoti bëri të ditur se ditën e premte nga ora 15:00 do të hapet ueb-faqja për aplikim për tërheqjen e 10-përqindëshit.
Ndërkaq, lidhur me kohën që nga periudha e aplikimit e deri në bartjen e mjeteve në xhirollogaritë e individëve, zëdhënësi në Trustin e Kursimeve Pensionale, Jeton Demi, ka treguar për gazetën “Epoka e re”, se që nga dita e aplikimit, procedurat nga ana e Trustit do të autorizohen brenda pesë ditëve të javës.
“Ne do t’i autorizojmë aplikimet brenda maksimumit, në pesë ditë pune. Pastaj, pjesa tjetër varet nga bankat, sesa kohë u duhet për t’i kaluar në llogaritë individuale”, ka thënë Demi.