Izraeli dhe Kosova kanë nënshkruar marrëveshjen për hyrjen në fuqi të vendimit për heqjen e vizave për kosovarët.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Brendshëm i Izraelit, Moshe Arbel dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, transmeton Telegrafi.
Ministri i Izraelit sot gjatë ditës u prit në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti.
Ndryshe më 29 janar të këtij vitit, presidentja Vjosa Osmani kishte njoftuar se Izraeli është pajtuar për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Osmani kishte bërë të ditur se ministritë përkatëse kishin nisur procedurat për formalizimin e marrëveshjes, dhe se qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë të udhëtojnë lirshëm në një nga destinacionet më të njohura turistike në rajon dhe më gjerë.
Ky vendim i Izraelit vjen pas njohjes së pavarësisë së Kosovës më 4 shtator 2020.