Ivan Todosijeviq dënohet me një vit burgim lidhur me deklaratat për Reçakun

Zyrtari i Listës Serbe, Ivan Todosijeviq është dënuar të mërkurën me një vit burgim – në seacën e rigjykimit – për “përhapje të urrejtjes dhe intolerancës”, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, avokati e tij, Nebojsha Vllajiq.

Ai është dënuar fillimisht me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por Gjykata Supreme e Kosovës e pati kthyer rastin në rigjykim, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Todosijeviq pati deklaruar në mars të vitit 2019 se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Deklarata e tij përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave – fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë.

Ai në atë kohë mbante postin e ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, por u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe në Reçak ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish-shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori, William Walker.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë në shkurt 2021, Todosijeviq mori mbështetjen e votuesve dhe u zgjodh një nga dhjetë deputetët e Listës Serbe.

Ai mban edhe pozitën e kryetarit të Zveçanit në kuadër të strukturave paralele serbe në Kosovë.