Istrefi: Gjuha e përdorur ndaj Telekomit është e rëndë, sidomos fjala ‘gjakderdhje’

Drejtori Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka thënë se gjuha e përdorur  në raport me kompani është e rëndë.

Istrefi ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari e cila ka thënë se ka gjakderdhje në Telekomin e Kosovës.

“Gjuha cila është duke e përdorë është shumë e rëndë jashtëzakonisht e rendë, mendoni se secila familje ka të punësuar aty dhe të dëgjoj fjalë si gjakderdhje. Telekomi për çfarë gjakderdhje je tu fol, gjakderdhja është që për 3 vite po paguan qerat e postës së Kosovës, kemi dorëzu plan konkret, për çfarë gjakderdhje po fol kur hala pagat nuk i kam transferu”, u shpreh Istrefi në Debat Plus.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë së shkarkuar që gjakderdhja mund të ndalet duke marrë vendime ku sipas tij, Qeveria ka bazë ligjore për t’i liruar nga pagesa e qerasë për objektet e Postës së Kosovës.

I pyetur nëse do të shkarkohet ai ka thënë se nuk ka ndonjë njoftim.

“Nuk kam njoftim prej bordit aktual që unë do të shkarkohem, ka thënë se do të ketë lëvizje në pozitat e larta, duhet të ketë një bazë ligjore për shkarkime”, tha drejtori Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.