Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj për sjelljen skandaloze rreth vendimit për çmimin e barnave në Kosovë.
Në një konferencë për media, Ismaili ka thënë se ky akt e rikthen krimin në shëndetësi, u shërben disa individëve dhe e varfëron popullin.
Ai ka kërkuar që të mos manipulohet dhe ministri Zemaj të mos rreshtohet me krimin, korrupsionin dhe plaçkitjen në shëndetësi.
Deklarata e plotë e Ismailit:
Sot jam këtu, që me shqetësim të madh, ta ngre zërin për një temë që është e të gjithëve, pa marrë parasysh bindjet politike.
Jam këtu për një çështje tronditëse – që duhet të na mobilizojë të gjithëve.
Ministri Armend Zemaj dje i ka dhënë hapësirë krimit dhe korrupsionit në shëndetësi, duke e shfuqizuar Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave.
Me këtë vendim, ai ka goditur një nga reformat më të mëdha në historinë e shëndetësisë dhe ka ri-legalizuar krimin.
Pas presionit publik, Zemaj ka shfuqizuar sot vendimin e djeshëm të tij, duke krijuar një ekip të ri për ta ndryshuar këtë Udhëzim, i cili ishte hartuar me ekspertë ndërkombëtarë dhe nën mbikëqyrjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Krijimi i një ekipi të ri është vetëm një blerje kohe, e cila do të mund të shfrytëzohet nga kompanitë për abuzim me çmimet e barnave.
Ky manipulim do t’u kushtojë qytetarëve tanë, të cilët do të vazhdojnë të blejnë barna me çmime më të shtrenjta se qytetarët e shteteve përreth.
Anulimi një herë, e pezullimi tash, i Udhëzimit që rregullon dhe ulë çmimet e barnave, është fitore e interesave të grupeve kriminale që dëshirojnë të pasurohen në kurriz të shëndetit të qytetarëve.
Është kthim prapa në shëndetësi, është varfërim i qytetarit dhe është pajtim që paratë e taksapagueseve të mos investohen, por të keqpërdoren.
Të dashur qytetarë,
Një ndër pengesat më të mëdha të zhvillimit të shëndetësisë ka qenë korrupsioni masiv në blerjen e barnave, që i ka pasuruar disa, por e ka varfëruar popullin.
Për 20 vjet me radhë, Kosova ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët janë dëmtuar financiarisht duke shpenzuar nëpër barnatore rreth 10 milionë euro më shumë për barna në vit.
Për kohë të gjatë, paraja publike është keq-shfrytëzuar. Barnat që kanë mundur të blihen me 3 euro, janë blerë me 30 euro.
Për kohë të gjatë, miliona euro u janë dhënë kompanive, të cilat nuk kanë pasur për qëllim ofrimin e produkteve më cilësore me çmime më të lira, por pasurimin brenda natës dhe marrjen e kontratave milionëshe.
Ky rrjet kriminal ka qenë dhe mbetet ende rrezik i sektorit të shëndetësisë dhe plaçkitës i parasë publike.
Nëse paratë e taksave tona nuk shkojnë në investimin dhe përmirësimin e sektorit të shëndetësisë, por në xhepat e individëve dhe kompanive të caktuara, atëherë jemi të dënuar të kemi shëndetësinë më të dobët, e rrjetin kriminal më të fortë.
Nëse nuk i ndalet rruga korrupsionit, nuk do të ketë shëndetësi të zhvilluar, shërbime më të mira profesionale, aparatura të reja dhe barna të mjaftueshme nëpër spitale.
Kjo ishte bindja ime sa isha Ministër i Shëndetësisë dhe mbi këtë vizion kam zhvilluar për dy vjet një betejë shumë të vështirë për ta nënshkruar Udhëzimin Administrativ që i rregullon dhe ulë çmimet e barnave.
Kam punuar pa u ndalur, bashkë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, për ta krijuar bazën ligjore që qytetarët tanë të mos paguajnë çmime shumëfish më të larta për barnat e njëjta.
Për 20 vjet, qytetarët tanë kanë blerë barna më të shtrenjta në barnatoret e Kosovës sesa qytetarët në Maqedoni dhe në Shqipëri.
Për 20 vjet, qytetarët tanë kanë blerë barna paradite me një çmim tjetër, e në mbrëmje – kur kanë qenë në hall – me një çmim tjetër.
Me një çmim tjetër në fshat, me një çmim tjetër në qytet.
Me çmime të ndryshme në lagje të ndryshme.
Udhëzimi Administrativ, të cilin unë e kam nënshkruar në vitin 2019, e të cilin Ministri Zemaj e anuloi dje dhe e pezulloi sot për blerje kohe, ndalonte abuzimin me çmimet e barnave – duke ndaluar këdo që ofertonte çmime më të larta se në treg dhe vendoste rregullin për t’i ulur dhe nivelizuar çmimet nëpër të gjitha barnatoret e Kosovës.
Para se ta nënshkruaja këtë Udhëzimin, Kosova dhe Bjellorusia ishin vendet e vetme në Evropë që nuk i kishin të rregulluara çmimet e barnave.
Pra, ishim pikë e zezë në hartën e Evropës.
Ky Udhëzim ishte në kundërshtim me interesin e një pakice, por në interes të shumicës.
Ky Udhëzim që ndihmoi në ndaljen e korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë, ka ruajtur xhepin e qytetarëve dhe ka kthyer dinjitetin e farmacistëve tanë.
Prandaj, sjellja e Ministrit Zemaj ndaj këtij Udhëzimi është një fitore e rrjeteve kriminale dhe e grupeve të interesit.
Kërkoj nga Qeveria që urgjentisht ta jetësojë Udhëzimin Administrativ, të nënshkruar në vitin 2019, e të mos lejohet të shfrytëzohet pandemia për t’i dhënë krahë krimit.
Është për t’u përshëndetur reagimi i qytetarëve dhe mediave, organizatave joqeveritare dhe odave profesionale.
Është në interesin e qytetarëve që ky reagim të vazhdojë deri në reflektimin e Ministrit Zemaj për të mos lejuar varfërimin e qytetarëve duke blerë barna me çmime shumëfish më të shtrenjta.