Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se kjo parti nuk do të hyjë në Qeverinë Hoti, teksa qeverinë aktuale dhe atë të shkuarën i ka cilësuar si qeveri që e kanë zhytur vendin në krizë të thellë politike e ekonomike.
Në një konferencë për media të martën, Ismaili ka thënë se dy qeveritë, ajo Kurti dhe ajo aktualja Hoti, kanë lënë në kohë krize qytetarët pa ndier dorën e shtetit.
“Ende qytetarët me dy qeveri s’kanë arritur ta ndienjë dorën e shtetit në tejkalimin e kësaj krize që kemi sot. Kosova është vendi i vetëm me dy qeveri që s’kanë arritur të implementojnë një pako të përgjithshme ekonomike. Kurti i la punëtorët dhe ndërmarrësit pa ndihmën e tyre. Sot pas një viti, populli sheh se në çfarë mashtrimi, inati e ekstremizmi është qeverisur Kosova me VV-në e LDK-në”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kurti si ish-kryeministër do të mbahet mend për “dy veprime të turpshme”.
“… mbylljen e kufirit me Shqipërinë e hapjen ndaj Serbisë. Mashtronte për bashkim kombëtar, ndante shqiptarët në tradhtarë e kombëtar e i pranoi testet nga Serbia duke e shpallur para mediave ndërkombëtare Vuçiqin hero”, ka thënë tutje Ismaili.
Ndërsa për qeverisjen e LDK-së, Ismaili ka thënë se kjo ishte “qeveri e paaftësisë”.
“Është e dhimbshme se si Qeveria Hoti e la pa mbështetje sektorin privat. Po shkojnë drejt arritjes së rasteve rekord me dështime në realizimin e pakos ekonomike. Qeveria Kurti dhe Hoti kanë pasur një seri dështimesh që e kanë zhytur Kosovën në krizë të thellë ekonomike e politike”, ka thënë ai.
Ai ka mohuar raportimet se PDK-ja do të hyjë në Qeverinë Hoti.
“Jemi në konferencë opozitare dhe po shihet qëndrimi jonë. Kemi bërë një seri aktivitetesh. Jemi të vetmit që s’kemi nderuar pozitën tonë”, ka thënë ai.
Ismaili ka përsëritur qëndrimin që PDK-ja do të votojë mocionin për rrëzim të Qeverisë Hoti, por s’do t’i japë nënshkrimet për të.
“Përgjigja jonë është e qartë, VV-ja ka aleatë brenda Kuvendit, Vjosa Osmanin dhe një grup të deputetëve që s’e votuan atë kohë. Po të bëhen bashkë mund t’i bëjnë 40 nënshkrime. Oferta jonë është që ne do t’ua japim votat tona në rrëzim të Qeverisë. Këtu kemi një mosvullnet të palëve, të VV-së dhe kryetares Osmani dhe pasuesve të saj që s’po nënshkruajnë mocionin për të bërë numrin 40”, ka thënë në fund ai.