Ismaili: Kurti kërkon para nga Diaspora, rrezikon burimin financiar të familjeve në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se mënyra se si kryeministri Albin Kurti po u kërkon para diasporës shqiptare është e turpshme. Ismaili tha se Kosova ka 460 milionë euro në Thesarin e Shtetit. Po ashtu, ka të planifikuara 672 milionë euro për investime kapitale.

“Pra, janë mbi 1.1 miliard euro që mund të riprogramohen e të shfrytëzohen për pandeminë dhe për ekonominë në këtë kohë krize”, tha Ismaili.

Deklarata e plotë e Uran Ismailit:

Një derë bujare dhe një zemër e madhe e diasporës sonë, që ka mbajtur gjallë Kosovën për dekada, sot po tentohet të shfrytëzohet paturpësisht dhe pa nevojë nga Kryeministri Kurti. Është shumë e rrezikshme, për familjet në Kosovë dhe për ekonominë e vendit, që për shtetin të kërkohen para nga diaspora. Siç bëri dje Albin Kurti. Me një video. Ndihma e diasporës duhet të fokusohet te familjet e tyre, sepse në këtë kohë krize të pandemisë shumica e familjeve në Kosovë janë të papunë dhe të ardhurat u janë pezulluar.

Ekonomitë familjare janë në rrezik. Atyre u duhet ndihma, nga shteti dhe nga diaspora.

Nëse dikush mund ta dërgojë qoftë edhe 1 euro në Kosovë, duhet ta dërgojë te familja ose te të afërmit e vet. Efekti i ndihmës për ekonominë familjare është edhe ndihmë për shtetin. Duke pasur para për ekonomitë familjare, mbahet gjallë kërkesa dhe stimulohet ekonomia vendit. Shteti i Kosovës nuk është aq i varfër sa për të kërkuar para nga diaspora. Problemi është se kemi një Kryeministër të varfër në kokë nga idetë.

Sot, Kosova ka 460 milionë euro në Thesarin e Shtetit. 460,000,000 euro. Të gatshme. Po ashtu, ka të planifikuara 672 milionë euro për investime kapitale. 672,000,000 euro. Pra, janë mbi 1.1 miliard euro që mund të riprogramohen e të shfrytëzohen për pandeminë dhe për ekonominë në këtë kohë krize. Duke parë paaftësinë e Qeverisë Kurti për t’u përballur me krizën ekonomike, PDK ka dalë me Planin për Rimëkëmbjen e Ekonomisë. Sepse, ekonomia, ashtu si shëndetësia, është e të gjithëve dhe për të gjithë.

Kosova është pjesë e FMN, BERZH e Bankës Botërore dhe mund të marrë kredi të buta në këto institucione, e po ashtu mund ta shfrytëzojë mundësinë e huazimit në tregun e brendshëm. Kosova ka borxhin publik më të ulëtin në rajon. Në kohë si kjo, edhe shtetet me ekonomitë më të fuqishme në botë po hyjnë në borxhe, ndërsa Qeveria Kurti kërkon ndihmë financiare nga diaspora. Çfarë logjike. Çfarë paaftësie.