Ismaili: Jo pasurim të oligarkëve, të vendosen tavane për çmimet e testeve për Covid-19

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, ka kritikuar ashpër Qeverinë dhe udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët po ndihmojnë pasurimin e oligarkëve e po varfërojnë qytetarët.

Ismaili ka kërkuar që me urgjencë të ndalohet zhvatja në emeër të shëndetit të qytetarëve dhe të vendoset tavani i çmimit për testime në laboratoret private.

“Nuk duhet të lejojmë asnjë kompani, sado e fuqishme të jetë ajo, të pasurohet padrejtë në kurriz të pacientëve tanë. Shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve nuk mund të rrezikohet për shkak të interesave financiare të askujt”, ka thënë Ismaili.

Deklarata e plotë e Uran Ismailit:

Shëndetësia duhet të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga monopolet dhe keqpërdorimet që pasurojnë oligarkët dhe varfërojnë qytetarët. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe e xhepit të tyre duhet të jetë parimi kryesor i të gjitha politikave shëndetësore.

Për këtë arsye, hapi i radhës në ndalimin e zhvatjes në emër të shëndetit do të ishte vendosja e tavanit të çmimit për testime në laboratoret private.

Që nga fillimi i pandemisë e kam kërkuar një gjë shumë të thjeshtë: testimin masiv të popullatës. Fatkeqësisht asnjëra qeveri nuk arriti të bëjë këtë. Licencimi i institucioneve private për testim është hap para në luftimin e pandemisë, por kurrsesi nuk duhet të shihet si zëvendësim i testimit falas të organizuar nga shteti.

Për të mbrojtur qytetarin nga predatorët financiarë, para se të licencoheshin laboratoret private, Qeveria është dashur të vendoste tavanet e çmimeve për të gjitha shërbimet që ndërlidhen me pandeminë.

Nuk duhet të lejojmë asnjë kompani, sado e fuqishme të jetë ajo, të pasurohet padrejtë në kurriz të pacientëve tanë. Shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve nuk mund të rrezikohet për shkak të interesave financiare të askujt.