Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, sot i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, lideri i VV-së, Albin Kurti.
Kurti, ka shkruar se “Baca Sokol ishte i burgosur politik dhe veprimtar i kahmotshëm i çështjes kombëtare, pjesëmarrës në lëvizje e organizata të ndryshme legale e ilegale të kohës”.
Ky është njoftimi:
Në vitin 1961 ishte student në Zagreb, mirëpo u detyrua t’i ndërprejë studimet atje e t’i përfundojë në Fakultetin Juridik në Prishtinë, për shkak se familja e tij konsiderohej politikisht e papërshtatshme në ish Jugosllavi. Baca Sokol është ish i burgosur politik dhe veprimtar i kahmotshëm i çështjes kombëtare, pjesëmarrës në lëvizje e organizata të ndryshme legale e ilegale të kohës. Në dimrin e ashpër 1998/1999, jemi takuar në Shtab të Përgjithshëm në malet e Berishës kur Adem Demaçi përfaqësonte dhe mbronte UÇK-në duke udhëhequr zyren e saj në Prishtinë. Gjatë luftës, Baca Sokol asnjë ditë të vetme nuk ka qenë jashtë Kosovës dhe e ka ecur në këmbë Kosovën nga Shala e Bajgora deri në Vrri të Prizrenit. Me tetë dekadat e jetës së tij ai është dëshmi e gjallë se është e mundur të plakesh duke qenë edhe patriot edhe i ndershëm.