Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është shprehur kundër propozimit të Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhely, për një udhërrëfyes të ri për vizat për Kosovën.
Ai ka thënë se ky propozim është vetëm arsyetim për ta zgjatur këtë proces, derisa ka shtuar se mosliberalizimi i vizave për Kosovën është çështje e politikës së brendshme të dy vendeve të BE-së.
“Qëndrimet e dy vendeve të BE-së për të mos liberalizuar vizat për kosovarët, qëndrime të cilat janë krejtësisht rezultat i dinamikës së tyre të brendshme politike, nuk duhet lejuar të ngriten në nivel të çfarëdo udhërrëfyesi të ri për liberalizim të vizave për Kosovën. Qasja e Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, është vetëm arsyetim për të prolonguar më tej këtë vendim të BE-së”.
Hoti thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe nuk ka asnjë kriter tjetër që duhet ta përmbushë, prandaj vetëm duhet pritur vendimi pozitiv, njofton Klankosova.tv.
“Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet që nga marsi i viti 2018 dhe meriton t’i liberalizohen vizat. Për të bindur Francën, në vitin 2020 është ngritur grupi punues i Ministrive të Brendshme respektive për të vënë në dispozicion të insiticioneve fanceze informatat e nevojshme për vendimmarrje pozitive. Ky grup punues është vendosur të formohet në takimin që kemi pasur me Presidentin Macron në korrik 2020, duke ndjekur shembullin e mirë të Qeverisë Haradinaj me Gjermaninë në vitin 2019. Ky grup e ka kryer punën e vetë dhe tani duhet pritur vendimi pozitiv, sepse nuk ka më asnjë kusht që duhet të plotësohet nga Kosova”, ka shkruar ai në Facebook.