Ish-komandanti i KFOR-it: Nuk mund të përjashtohet që konflikti në Ukrainë të nxit Luftën e Tretë Botërore

sh-komandanti i trupave të KFOR-it në Kosovë gjatë vitit 1999, Mike Jackson, i cili ishte komandanti i parë i trupave të Aleancës Veriatlantike, nuk e ka “përjashtuar mundësinë” që konflikti në Ukrainë të nxit Luftën e Tretë Botërore.

Gjenerali Sir Mike Jackson, njëherit ish-kreu i ushtrisë britanike, ka theksuar se pushtimi rus në Ukrainë e ka futur botën në një “territor të paeksploruar”, transmeton Telegrafi.

Sir Mike, i cili udhëhoqi ushtrinë gjatë ndërhyrjes ushtarake në Irak gjatë vitit 2003, ka bërë të ditur se veprimet e Moskës nënkuptojnë se rreziku i vendosjes së armëve bërthamore është rritur potencialisht.

Që të dyjat, Kremlini dhe anëtarët e aleancës së NATO-s, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, posedojnë raketa bërthamore.

Duke folur për GB News gjatë të dielës, 77-vjeçari është pyetur nëse mendon se beteja mes Ukrainës dhe Rusisë mund të eskaloj në luftë të Tretë Botërore, ai tha: “Nuk mund ta përjashtoj. Është e vështirë të thuhet”.

“Situata është shumë delikate në kuptimin perëndim-lindje dhe të ardhmen e saj. Është një territor i paeksploruar. Fal zotit nuk kemi parë përdorim të armëve bërthamore që nga viti 1945”, ka thënë gjenerali i pensionuar britanik.

“Por, sinqerisht nuk mund ta them me bindje se mund t’i mbijetojmë një shekulli tjetër pa përdorimin e tyre”, shtoi ai.

Sir Mike i është referuar deklaratave të kryeministrit britanik Boris Johnson, se Britania nuk do të duhej të përfshihej drejtpërdrejtë në konfliktin në Evropën Lindore – ku autoritetet ukrainase vazhdimisht kanë bërë thirrje që NATO të jetë një lloj polici i një zone të ndalim-fluturimit.

Mike Jackson ka qenë komandanti i parë i forcave të NATO-s në Kosovë, dhe nënshkruesi i marrëveshjes së Kumanovës kur forcat serbe u detyruan të largohen nga vendi.