Ish-këshilltari i Kurtit: Presidentja abuzoi me shkarkimin e ambasadorëve, dekretet janë anti-kushtetuese

Shkarkimi i ambasadorëve të emëruar me çelës politikë ka shkaktuar debat të madh në ditët e fundit. Me anë të dekreteve, Presidentja Vjosa Osmani, pas rekomandimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme e Diasporës, dy ditë më parë liroi nga detyra 12 ambasadorë të Kosovës nëpër botë.

Por, dyshime në ligjshmërinë e dekreteve të Presidentes Osmani ka Durim Berisha, ish-këshilltar i Kryeministrit Albin Kurti, i cili sot përkrahi vendimin e shkarkimit të ambasadorëve politikë.

Berisha deklaron se pavarësisht emrave të përveçëm dhe përformancës së ambasadorëve të shkarkuar, duhet respektuar procedura ligjore në rastin e tërheqjes së parakohshme të shefit të mesionit diplomatik.

Sipas tij diskrecioni të cilës i është referuar Presidentja kur citoi fjalinë e fundit të nenit 22 të ligjit për Shërbimin e Jashtëm nuk është absolut sipas Berishës.

Tutje njohësi i së drejtës kushtetuese vlerëson sipas ligjit nuk ka asnjë dallim ndërmjet diplomatëve të karrierës dhe atyre politikë kur është fjala në lidhje me tërheqjen, pezullimin dhe humbjen e statusit të tyre.

“Nga dekretet që qarkullojnë në publik kuptojmë se Presidentja i është referuar neneve 13 dhe 22 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, nene këto që flasin në mënyrë të përgjithshme – por që kanë kuptim vetëm nëse zbatohen në lidhshmëri dhe në mënyrë sistematike me dispozitat tjera të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm. Ndërsa në rastet e diplomatëve që ende nuk e kanë arritur periudhen kohore prej 4 viteve, mandati i tyre mund të përfundohet vetëm sipas procedurave dhe vetëm për arsyet e parapara në nenet 23, 24 dhe 25 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës”, tha Berisha, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

Ndërkaq ish-këshilltari i Kurtit thotë se ambasadorët që kanë marrë pagë jashtëligjhsëm pas përfundimit të mandatit 4 vjeçar, duhet t’i kthejnë ato mjete financiare.

“Të vetmit përfaqësues tek të cilët nuk mund të flasim për shkelje të dispozitave ligjore, janë ata të cilëve u ka përfunduar mandati 4 vjeçar. Në ato raste, mandati konsiderohet i përfunduar sipas fuqisë ligjore dhe nuk do duhej as të nxjerrej ndonjë dekret, por vetëm të njoftohej personi se mandati i tij ka përfunduar. Pra të gjithë ata persona që kanë pranuar pagë nga Republika e Kosovës pas përfundimit të mandatit 4 vjeçar, kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme dhe do duhej t’i kthenin ato mjete, sepse kur një e drejtë apo marrëdhënie juridike shuhet sipas fuqisë ligjore, nuk ka nevojë të ndërmerren veprime juridike për të konstatuar një gjë të tillë, por ajo përfundon në mënyrë automatike”, tha Berisha.

Dekretet mund të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese

Në bazë të natyrës jurudike, drektet e presidentit janë akte individuale administrative, vlefshmëria e të cilave mund të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese.

E një gjë të tillë mund ta bëjnë edhe ambasadorët e shkarkuar nga Presidentja Osmani nëpërmjet Avokatit të Popullit

Por edhe një grup i deputetëve mund të kërkojnë vlerësimin e kushtetutshmërisë së drekteve.

E Berisha ka dyshime se Presidentja Osmani ka kaluar mandatin e saj kushtetues.

Duke marrë parasysh se dekretet e presidentit janë akte individuale administrative, personave që u është ndërprerë mandati para kohe, do duhej të kërkonin mbrojtjen e të drejtave të tyre në procedurë gjyqësore administrative.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mundësi që të inicojnë një padi presidenciale, pra një procedurë përkitazi me shkelje të pretenduar të Kushtetutës nga Presidentja, sepse sipas gjykimit tim, ka dyshime të mjaftueshme që ajo ka tejkaluar mandatin e saj kushtetues gjatë ushtrimit të kompetencës së paraparë me nenin 84 paragrafi 25 të Kushtetutës së Kosovës, sepse është në detyrën e Presidentit të shtetit që në kuadër të rolit dhe funksionit të tij si noter shteëror që të vlerësoj nëse emërimi apo shkarkimi i shefit të misionit diplomatik është kryer sipas procedurës së paraparë”, tha Berisha.

Ish-këshilltari i Kurtit thotë se edhe Presidentja Osmani, sikurse paraardhësit e saj, ka abuzuar me kompetencat e saj si notere shtetërore.

“Në rastin konkret, por edhe në praktikat mëhershme të Presidencës, është abuzuar me kompetencën e presidentit për të “emëruar” dhe “shkarkuar” shefat e misioneve diplomatike. Nëse do të arrihej të argumentohej ushtrimi arbitrar i kësaj kompetence, pra të faktohej përtej dyshimit se Presidentja nuk e ka ushtruar këtë kompetencë brenda kornizës së paraparë me Kushtetutë, atëherë Gjykata Kushtetuese do të duhej të konstatonte shkeljen e Kushtetutës nga Presidentja, që gjykuar sipas përmbajtjes së dekreteve ka ndodhur, sepse ato dekrete nuk mbështeten as nga forma, procedura e as nga aspekti material në Kushtutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi”, tha Berisha.

Disa nga të shkarkuarit, i cilësuan si të motivuara politikisht shkarkimet e tyre, ndërsa PDK e AAK, si opozitë, nuk u pajtuan me këto vendime të MPJD e Presidencës.