Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka lëshuar sallën e Kuvendit zgjedhor të LDK-së, pasi tashmë ai nuk është pjesë më as e kryesisë dhe as anëtar i Kuvendit, siç tha edhe ai vet para delegatëve të Kuvendit se është një anëtar i thjesht i LDK-së.
Mustafa në një prononcim për media deklaroi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit dhe anëtarit të Kuvendit të LDK-së.
“Posa dhashë dorëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së, dorëheqja ishte e parevokueshme. Falënderova strukturën e ldk për punën 10 vjeçare që kam bërë. Kam bindjen që ky kuvend do të nxjerr kryetarin e LDK-së që do ta çoj vendin përpara. Lë hapësirë që kryetrari i LDK të drejtoj LDK në mënyrë të pandikuar. Besoj që çdo njëri nga kandidatët e LDK-së do ta bëj këtë gjë”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se ndër vendimet më të mira që ka marrë sa ka drejtuar LDK-në, është prishja e koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje në vitin e kaluar.
“Për vendime të mira konsideroj se të gjitha i kemi marrë si vendime të arsyeshme që për objektiv kanë pasur interesin e vendit. Kam thënë edhe sot se vendimi për prishjen e koalicionit me Vetëvendosjen është vendim i mirë për të cilin jam i bindur, sepse mes partneritetit me SHBA-në dhe qëllimeve dhe orientimeve të VV-së kam zgjedhur partneritetin më SHBA-në”
“E kemi paguar këtë çmimin, por në mënyrë të vetëdijshme. Besoj se qytetarët e Republikës së Kosovës do ta shohin këtë. S’kam këshilla të veçanta për kryetarin e LDK-së, lë hapësirë që ai ta drejtojë LDK-në në mënyrë të pandikuar”.