Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se sondazhet e prezentuara nga disa institute nuk janë kredibile dhe se ende mungon profesionalizimi kur vjen puna tek prezantimi i sondazheve.
“Sondazhet i kemi marrë si informacione të cilat i kultivojnë dhe i prezantojnë ata që vetveten duan ta reklamojnë. Nuk kemi sondazhe profesioniste që tregojnë se kush është rezultati me të vërtetë. Ato sondazhe nuk janë neutrale. Ia bejnë qejfin vetes. LDK-ja do të dal bindshëm e para”, ka potencuar shefi i LDK-së ”, ka thënë ai në RTK.
“Gjykata nuk i shkruan ligjet, besoj që duhet të merremi vet me çështje politike pasi që nuk duhet të presim gjithmonë se çfarë ligji të ri po na shkruan kushtetuesja e cila duket se po del jashtë suazave të veta”, shton Mustafa.
Pavarësisht se ka mohuar se do të bëjnë koalicione me ndonjë subjekt politik, Mustafa la hapur mundësinë që të garojë bashkë me ndonjë parti të vogël.
“Akoma nuk kemi vendosur në strukturat e LDK-së, se së shpejti do të organizojmë një mbledhje të kryesisë. Unë mendoj se do të garojmë vet. Mbesim të hapur për ndonjë subjekt të vogël. Por, koalicione parazgjedhore nuk do të bëjmë me asnjë subjekt politik”, ka thënë Mustafa.
Tutje, ai tha Vetëvendosje po ia bën qejfin vetes me sondazhe.
Ndërsa për vendimin e Gjykatës Kushtetuese tha se ajo mori rol që nuk i takon në momentin kur shpalli zgjedhjet.
“Ishte i papritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ajo mori rol që nuk e ka, sepse shpalli zgjedhjet. Këtë nuk e bën ajo. Megjithatë ne kemi vendosur ta respektojmë këtë vendim”, tha Mustafa.