Isa Mustafa kërkon nga Kurti e Osmani të garantojnë për krerët e UÇK-së: Pozitat kërkojnë përgjegjësi

Pas raportimit se Kroacia, Austria dhe Sllovenia kanë ofruar garancë që ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, një veprim i tillë po kërkohet edhe nga Qeveria e Kosovës.

Në një prononcim për lajmi.net, ish-kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ka thënë se asnjëri nga krerët e UÇK-së nuk paraqet rrezik për drejtësinë.

“Jam shumë i bindur se asnjëri nga krerët e UÇK-së, të cilët tani po përballen me akuza në Dhomat e Veçanta në Hagë, nuk paraqesin rrezik për drejtësinë, nëse do tu lejohej të mbrohen në liri. Të gjithë ata kanë treguar gatishmëri të përballen me drejtësinë”, ka thënë Mustafa.

Tutje, ai ka thënë se iu takon institucioneve të vendit të garantojnë për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim.

“Është më e pakta që institucionet e larta të vendit do duhej të bënin për qytetarët e vet. Pozitat e larta kërkojnë edhe marrje të përgjegjësisë së lartë, të pëlqeu apo jo”, ka thënë Mustafa për lajmi.net.

Kujtojmë se gjatë vitit 2004 kur kreu ish-gjenerali i UÇK-së Ramush Haradinaj, po mbahej në paraburgim nga Tribunali i Hagës për krime lufte, ish-presidenti i atëhershëm nga radhët e LDK-së, Ibrahim Rugova, kishte garantuar për lirimin e tij me kusht.