Një prokuror iranian ka thënë se vendi i tij e ka lëshuar një fletarrestim në Interpol për presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për rolin e tij në vrasjen e komandantit të lartë, Qassem Soleimani, në janar të këtij viti.
Prokurori i Teheranit, Ali Alqasimehr, tha se në fletarrestimin ndërkombëtar, përpos kreut të Shtëpisë së Bardhë, janë të përfshirë edhe 30 persona të tjerë, të dyshuar për sulmin me dron më 3 janar, ku mbeti i vrarë gjenerali Soleimani, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.
Ushtaraku i vrarë akuzohej se i ka udhëhequr disa sulme kundër forcave amerikane në Lindjen e Mesme përmes grupeve të përkrahura nga forcat Kuds, njësi elite e ushtrisë iraniane.
Në shenjë hakmarrjeje, Irani e kishte sulmuar një bazë ushtarake të forcave amerikane në Irak, por nga këto sulme nuk kishte pasur viktima në radhët e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.