Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e drejtorit rajonal të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq, i cili më 2 nëntor deklaroi se nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat.
“Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicës së Veriut dyshohet se ka kryer veprat penale ‘Sabotim’ dhe ‘Thirrja për rezistencë’ të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.
Më 2 nëntor, Gjuriq tha se policët në veri nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.
“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq dhe shtoi se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.
Këtë vendim Gjuriq e kumtoi pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).
Gjuriq tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe drejtoria e përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.
Nenad Gjuriq në qershor të vitit 2013 ishte emëruar komandant rajonal i policisë në veri.
Emërimi i tij erdhi pasi Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e raporteve, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në pikën 9 të marrëveshjes thuhej se komandanti rajonal në katër komunat me shumicë serbe emërohet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës.
Ndryshe, që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë makina me targa ilegale (KM), do të marrin fleta qortuese.
Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të makinave në targat RKS (Republika e Kosovës).
Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë makina me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i makinave që nuk kanë targa RKS.
Në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) vlerësohet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe.
Këto targa i lëshon Serbia dhe bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera.
Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri, që kanë pasur në cak kryesisht serbët që kanë riregjistruar makinat e tyre në RKS.
Vendimi për riregjistrimin e makinave fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj për shkak se serbët lokalë ngritën barrikada në shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi.
Pak para se të skadonte afati për riregjistrim më 31 tetor, Qeveria e Kosovës njoftoi për planin e saj me tri faza për targat.