Gjykata Speciale e Hagës ishte kryefjalë e zhvillimeve nacionale dhe politike përgjatë vitit 2020. Zhvillimet që u lidhën me punën e Speciales determinuan krejtësisht ecurinë e proceseve politike në Kosovë. Kjo për faktin se personazhe të cilët ishin prezentë në skenën politike që nga paslufta, përfunduan të akuzuar në Tribunalin e Hagës.
Viti 2020 do të jetë i shënuar në kalendarin e ngjarjeve që do të lënë gjurmë në historinë e pasluftës së Kosovës, shkruan lajmi.net.
Përgjatë vitit që lamë pas, figurat kryesore të luftës çlirimtare të viteve të 90-ta përfunduan të paraburgosur në Hagë. Ata po ballafaqohen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Më posht detaje rreth zhvillimeve kryesore që ndërlidhen me Specialen gjatë vitit 2020:
24 qershor:
Ish-presidenti Thaçi aso kohe veç ishte nisur për të shkuar në Uashington. Tri ditë më pas, në kryeqendrën amerikane planifikohej nënshkrimi i një marrëveshjeje ekonomike me Serbinë. Por, rruga e Thaçit u ndal në gjysmë.
Orët e pasditës së 24 qershorit do të shënon fillimin e një vargu të gjatë të zhvillimeve dhe veprimeve të Speciales. Diku gjysmë ore para orës 16:00, në ueb-faqen e Speciales do të publikohej njëra prej komunikatave që më pas do të cilësohej si ndër më skandalozet në historinë e institucioneve të drejtësisë.
Atë ditë, Prokoria e Specializuar me anë të një komunikate për media njoftoi se ka paraqitur një aktakuzë ndaj atë kohë presidentit Thaçi, kreut të PDK-së, Kadri Veseli dhe për disa persona të tjerë. Sipas pretendimeve të Speciales, Thaçi, Veseli e të tjerët dyshohet se janë përgjegjës për afër 100 vrasje.
Sidoqoftë njoftimi për aktakuzë nga Specialja specifikonte se e njëjta duhet të konfirmohet nga Gjyqtari Francez i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou.
13, 14, 15, 16 korrik:
Njoftimi për aktakuzë ndaj Thaçit nuk do të përfundonte vetëm me kaq. Aso kohe presidenti i vendit do të intervistohej për katër ditë radhazi, nga 13 deri më 16 korrik. Në deklaratat e bëra nga Thaçi thuhej se asnjëra nga pyetjet që i ishin parashtruar s’kishte të bënte me akuzat e senatorit Dick Marty për Shtëpinë e Bardhë.
Nga dokumentet e mëtutjeshme të paraqitura nga Haga dhe nga avokatët, ishte bërë e ditur se përveç datës së lartëcekur që ishte datë zyrtare e intervistimit të Thaçit, ish-presidenti ishte intervistuar edhe më 16 dhjetor të vitit 2019 si dhe më 20 janar të vitit 2020.
25 gusht, 20 tetor, 26 nëntor
Zhvillim tjetër me rëndësi që ngjau dhe u ndërlidh me punën e Speciales ishte amandamenti i propozuar më 25 gusht nga ish-presidenti Thaçi që kishte të bënte me mandatin e Speciales.
Aty thuhej se “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjas deri atëherë kur njoftimi për përfundimin e mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Më 20 tetor, Prokuroria e Specializuar këtë veprim të ish-presidentit e konsideronte si veprim puro kundër punës së këtij institucioni dhe tentativë për ta zhbërë Specialen.
Më 26 nëntor, Dhomat e Posaçme të Kushtetueses në Hagë rrëzuan kërkesën e Thaçit për amandament, duke ritheksuar se mandati i Speciales është i vazhduar dhe do të vazhdojë deri në njoftimin e Këshillit të Evropës se kanë përfunduar të gjitha procedurat hetimore.
7 shtator, 16 shtator, 22 shtator:
Zhvillim tjetër dramatik i këtij viti që ndërlidhet me punën e Speciales, është edhe publikimi i dosjeve konfidenciale të Prokurorisë së Specializuar. Kjo do të ndodhte saktësisht tre herë, në datat e lartëcekura kur edhe OVL-UÇK organizonte konferenca për media, dhe të gjitha ato materiale që u kishin ardhur, ua dorëzonte mediave dhe publikut.
Gjatë gjithë kësaj kohe, dy kryepersonazhet ishin Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, të dy krerë të Organizatës së Veteranëve të Luftës. Ata në tri datat e lartëcekura, do të njoftonin për dosjet, do të publikonin pamjet nga kamerat e sigurisë në momentin kur kishin arritur dosjet, si dhe të njëjtat më pas do t’ia dorëzonin mediave dhe publikut.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati shpreheshin se nuk e njohin Gjykatën Speciale, dhe të gjitha dokumentet do t’ia dorëzojnë publikut sa herë që ato të vijnë.
12 qershor – 24 shtator:
Data e parë e përmendur shënon ditën kur është konfirmuar aktakuza e parë e Speciales. I pari ish-luftëtar i UÇK-së nën një akuzë të konfirmuar nga Prokuroria e Specializuar, u bë Salih Mustafa.
Mustafa do të arrestohej më 24 shtator nga hetues të Speciales, të asistuar edhe nga policë të EULEX-it.
Menjëherë pas kësaj, Salih Mustafa do të dërgohej në qendrën e paraburgimit në Hagë.
25 shtator:
Më 25 shtator, në orët e para të mëngjesit, hetuesit e Speciales bashkë me policinë e EULEX-it, të shoqëruar edhe nga policë të Kosovës kishin zbarkuar në zyret e Organizatës së Veteranëve të Luftës në Prishtinë.
Atë ditë, hetuesit e Speciales kishin konfiskuar të gjitha dokumentet e mundshme që gjendeshin në selinë e veteranëve.
Përveç kësaj, në prangat e hetuesve të Speciales atë ditë kishin përfunduar edhe dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
28 shtator:
Më 28 shtator, Salih Mustafa u paraqit për herë të parë nga Gjykatën Speciale.
Në këtë paraqitje, Salih Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës ndaj tij.
29 shtator – 1 tetor:
Në dy datat e lartëpërmendura Hysni Gucati e Nasim Haradinajn u paraqitën për herë të parë para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake.
Nasim Haradinaj në paraqitjen e tij kishte mbajtur fjalim, teksa ripërsëriste se nuk e njeh dhe vazhdon mos ta njoh Gjykatën Speciale
Ai kishte nënvizuar se viktimë e luftës së fundit ishte populli kosovar dhe jo serbë.
Ndryshe nga Haradinaj, Gucati nuk kishte mbajtur fjalim në Speciale.
26 tetor – 4 nëntor – 5 nëntor:
Më 26 tetor, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou kishte konfirmuar aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Në aktakuzë pretendohen krime të kryera nga të lartëpërmendurit mes periudhës së marsit të 1998-tës dhe shtatorit të 1999-tës, të cilat po ashtu pretendohet se janë kryer në lokacione të ndryshme të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
Më 4 nëntor, hetuesit e Speciales bashkë me ata të Eulexit si dhe me Policinë e Kosovës kishin hyrë për një bastisje në dy shtëpitë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Pas kryerjes së bastisjeve gjatë tërë ditës, Jakup Krasniqi kishte përfunduar në prangat e Policisë së EULEX-it, nga ku më pas menjëherë ishte transferuar në Hagë.
E 5 nëntori do të shënonte ditën me më së shumti zhvillime sa i përket Speciales. Në orët e para të mëngjesit të kësaj dite, kreu i PDK-së, Kadri Veseli njoftonte se i ishte konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale.
Menjëherë pas komunikatës së lëshuar, Veseli njoftonte se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet politike, si dhe do të dorëzohej vullnetarisht tek autoritetet e Speciales.
Pak orë pas lajmërimit të Veselit, erdhi edhe konferenca e famshme e ish-presidentit Thaçi.
Ky i fundit, para mediave konfirmonte se i është konfirmuar aktakuza nga Specialja, si dhe se jep dorëheqje nga posti i presidentit.
Thaçi po ashtu kishte njoftuar se vullnetarisht do të dorëzohet për të udhëtuar në Hagë. Pas dorëheqjes së Thaçit, në bazë të dispozitave kushtetuese, karrigen në presidencë e zuri Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit.
Bashkë me Thaçin e Veselin, në Hagë në orët e pasdites udhëtonte edhe Rexhep Selimi, ndaj të cilit po ashtu ishte konfirmuar aktakuza.
9 nëntor, 10 nëntor, 11 nëntor:
Më 9 nëntor, në Tribunalin e Gjykatës Speciale u paraqitën për herë të parë Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi. Të dy këta u deklaruan të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Ndryshe nga Thaçi që u përgjigj shkurt në pyetjet e parashtruara nga gjykatësi, Jakup Krasniqi në Speciale mes lotësh mbajti një fjalim.
Mes tjerash, Krasniqi theksonte se gjatë gjithë jetës së tij nuk i ka bërë askujt asnjëherë keq, dhe se për të është bërë një padrejtësi e madhe.
“Dua të deklaroj sot se kurrë në jetën tim në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit aq kaq sa më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut e deri në këtë ndërtesë. Si kam trajtuar në këtë mënyrë. E ndjej veten më shumë se mirë dhe kurrë nuk do të dëshiroja të isha nën petkun e njerëzve që janë nën petkun e një krimineli. Juve përpiqeni ta ndani Shqipërinë në katolikë e shqiptarë. Kam disa çështje për aktakuzën, cilësimi i prokurorit se jemi ndërmarrje kriminale e përbashkët me shokët e mi familjen time nuk ka diçka më fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira jetë a vdekje u vumë në shërbim të lirisë”, theksonte Krasniqi.
Më 10 nëntor në Tribunalin Special u paraqit Kadri Veseli. Ky i fundit pa shumë fjalë u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Më 11 nëntor, i pafajshëm para Gjykatësit të Speciales u deklarua edhe Rexhep Selimi.
18 nëntor:
Më 18 nëntor në Tribunal Special të Hagës u mbajt konferenca e parë statutore ndaj Thaçit, Veselit e të tjerëve.
Të akuzuarit në këtë seancë u paraqitën përmes video-konferencës teksa në emër të tyre folën avokatët.
Përplasjet e para mes Prokurorisë së Specializuar dhe avokatëve u shënuan në këtë seancë. Kjo pasi që Prokurorët Specialë përmenden verën e vitit 2021 si datë të mundshme të nisjes së gjykimit.
Kjo kishte shkaktuar reagimin e ashpër të avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, si dhe të atij të Hashim Thaçit, David Hooper.
Këta të dy kërkuan të paktën 18 muaj kohë që të kryejnë hetimet e tyre mbi akuzat e Prokurorisë, duke vënë kështu si datën më të përafërt për nisjen e gjykimit, verën e vonë të vitit 2022.
Në këtë konferencë statutore ishin diskutuar edhe çështje të tjera procedurale, përfshirë edhe dorëzimin vullnetar të të akuzuarve si dhe procedura të tjera.
11 dhjetor – 14 dhjetor:
Më 11 dhjetor, ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit është konfirmuar aktakuza, e cila nuk ndërlidhet me krime të pretenduara të luftës.
Më 14 dhjetor, e njëjta është bërë e njohur për publikun, teksa specifikohet se krerët e OVL-së ngarkohen me gjithësej gjashtë akuza.
Akuzat ndaj Haradinajt e Gucatit ndërlidhen me mbajtjen e konferencave të lartëpërmendura, ku dosjet e ardhura nga persona deri tani të panjohur, u publikuan dhe iu dhanë mediave për publikim.
17 dhjetor:
Më 17 dhjetor, në Gjykatën Speciale u mbajt konferenca e dytë statutore në rastin e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit.
Edhe kjo konferencë statutore u karakterizua me përplasje të lehta mes prokurorisë dhe mbrojtjes. Kjo e fundit i quajti qesharake pretendimet e prokurorisë që gjyqi të nis në shtator të vitit të ardhshëm.
Sipas kësaj, mbrojtja pretendon se deri në nxjerrjen e plotë të informacionit, e deri në nisjen e gjykimit në datën e kërkuar nga prokuroria, avokatëve u mbetën vetëm tre muaj kohë për kryerjen e hetimeve.
Në këtë seancë, mbrojtja ritheksoi se datë e mundshme për nisjen e gjykimit është fundi i 2022-tës apo fillimi i 2023-tës. Në këtë kuadër koha minimale e kërkuar nga mbrojtja është 18 muaj.
Po ashtu, mbrojtja dha detaje mbi atë se sa hetues do të angazhohen për kryerjen e hetimeve në Kosovë.
Ata lanë të kuptohet se do të angazhojnë hetues të huaj për kryerjen e hetimeve.
18 dhjetor:
Më 18 dhjetor para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake u paraqitën për herë të parë pas konfirmimit të aktakuzës, dy krerët e OVL-së, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati.
Ky i fundit u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, ndryshe nga Haradinaj që këtë do ta bëj brenda një afati prej 30 ditësh.
Kjo pasi që Nasim Haradinaj kishte ndërruar avokatin një orë para nisjes së seancës së parë pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, andaj i njëjti e ka pasur të pamundur që përgatitë një qëndrim në lidhje me akuzat.
Kërkesat për lirim nga paraburgimi:
Përveç Salih Mustafës të cilit i është vazhduar paraburgimi, personat e tjerë që tanimë janë të akuzuar në Hagë veç se kanë kërkuar lirimin e përkohshëm.
Në lidhje me këtë avokatët kanë propozuar edhe kushte përmes së cilave është tentuar që të bindet gjykatësi i Procedurës Paraprake që të marr vendim për lirim me Kusht.
Kësisoj, avokati i Hashim Thaçit, David Hooper ka propozuar masat si në vijim:
Vendosjen në arrest shtëpiak,
Dorëzimin e dokumenteve ndërkombëtare të udhëtimit, dhe ndalimin e afrimit me vende ose persona të caktuar dhe pjesëmarrjen nga QAP,
Një ndalim të përdorimit të medias ose aktivitetit politik dhe madje të shtrihen në një kusht që Z. Thaçi të banojë jashtë Kosovës, përsëri subjekt i kushteve të tilla si PTJ i konsideron të përshtatshme.
Nëse vendoset një kusht i tillë, mbrojtja është e sigurt se do të jetë në gjendje të sigurojë një shtet të palës së tretë, jo fqinje me Kosovën dhe të kënaqshëm për PTJ, së bashku me pëlqimin e atij shteti të palës së tretë për të lejuar qëndrimin e tillë dhe çdo udhëzim i gjykatës.
Masat e propozuara të Avokatit të Nasim Haradinajt:
Dorëzimi i Pasaportës dhe ndalimi për ta lëshuar Kosovën, përveç paraqitjeve të caktuara në Gjykatë.
Të banojë në adresën e tij permanente, dhe të mos kërkojë ndryshimin e saj.
Çdo pajisje e përdorur për komunikim, të jetë e lidhur dhe regjistruar me Prokurorinë e Specializuar.
Të raportojë në një stacion lokal policor në frekuenca të përcaktuara.
Të përmbahet nga kontakti me bashkë-të akuzuarin (Hysni Gucatin).
Marrja përsipër që ai mos të komunikojë me mediat, të kërkojë të publikojë informacione rreth tij apo ndonjë çështje tjetër që aktualisht është subjekt i gjykatës.
Masat e propozuara të avokatit të Hysni Gucatit:
Gucati të mos hyjë në Prishtinë.
Ta ketë vetëm një pajisje elektronike për komunikim, në detajet e së cilës do të ketë akses Prokuroria e Specializuar.
Gucati të jetojë jashtë Kosovës. Të banojë dhe flej çdo natë në shtëpinë e caktuar në(adresa e redaktuar) shtet i palës së tretë. Kjo shtëpi i përket një të afërmi të tij, dhe në të njëjtën jetojnë edhe familjarët.
Nisja e Punës:
Specialja pritet të nis me punën e saj qysh pas 1 janarit, kur edhe përfundon pushimi dimëror.
Kërkesa për lirim nga paraburgimi kanë dorëzuar edhe avokatët tjerë, mirëpo të njëjtat nuk janë bërë ende publike nga Gjykata Speciale. /Lajmi.net/