Inter mposht Napolin dhe i afrohet kreut, Milani ngec sërish, Samp befason Veronën

 

Inter mposhti Napolin me rezultatin minimal 1-0 në krye-ndeshjen e javës së 12 të kampionatit italian dhe regjistroi fitoren e 5-të radhazi, që mban zikaltrit në vendin e dytë të renditjes me 27 pikë, vetëm një më pak se Milani kryesues.

Sulmuesi belg Romelu Lukaku vendosi ndeshjen mbrëmjen e sotme, pasi ekzekutoi saktë një penallti të fituar nga Matteo Darmian në minutën e 71-të, ndërsa në të njëjtin moment Lorenzo Insigne la Napolin me 10 futbollistë, pasi u ndëshkua me karton të kuq për protesta të tepruara.

Në “San Siro” u zhvillua një 90-minutësh mjaft i luftuar nga të dy skuadrat dhe vetëm pas golit të zikaltërve u panë disa aksione nga ana e Napolit, por Handanovic ishte në një mbrëmje mjaft të mirë, pasi bëri 2-3 pritje spektakolare, ndërsa në një moment i erdhi në ndihmë edhe shtylla.

Ndalet sërish Milani, këtë herë në transfertën ndaj Genoas, ku nuk shkoi dot më shumë se një barazim 2-2. Vendasit kaluan dy herë në avantazh me anë të sulmuesit Mattia Destro, ndërsa kuqezinjtë u kundërpërgjigjën fillimisht me Calabrian e më pas me mbrojtësin e ri Kalulu.

Ky ishte barazimi i dytë radhazi për Milanin, që në fundjavë do të luajë në transfertën e vështirë ndaj Sassuolos dhe që tashmë e sheh Interin vetëm një pikë mbrapa, ndërsa Pioli pret rikuperimin e Iberës dhe danezit Kjaer.

Bologna e pa veten në disavantazh të dy golave në transfertën ndaj Spezias, por rihapi takimin me Dominguez dhe barazoi me Barrow në minutën e 92-të, ndërsa në të 96-ën ishte sërish ky I fundit që humbi një 11-metërsh, duke mos ia dalë të kompletojë një përmbysje të çmendur.

Në barazim pa gola përfundoi edhe sfida mes Parmës e Cagliarit, ndërsa Sampdoria bëri surprizën në “Bentegodi”, pasi triumfoi me rezultatin 1-2 përballë Veronës vendase dhe la pas krahëve momentin e vështirë që po kalonte prej javësh.

Duhet të presë ende për fitoren në kampionat edhe trajneri Cesare Prandelli, pasi Fiorentina nuk shkoi përtej barazimit 1-1 mbrëmjen e sotme me Sassuolon, ku golit të Traore iu kundërpërgjigj Vlahovic nga pika e penalltisë.