Beteja për lindjen e Ukrainës ka vazhduar të intensifikohet me forcat ruse që tani kontrollojnë shumicën e qytetit kyç, Severodonjeck, në Donbas.
Humbje të mëdha janë raportuar si në palën ukrainase ashtu edhe në atë ruse, teksa kreu i administratës ushtarake të rajonit ukrainas të Luhanskut tha se trupat ruse kontrollojnë shumicën e Severodonjeckut.
“Rusët po sulmojnë, duke u konsoliduar në qendër të Severodonjeckut, ndërsa po vazhdojnë të shkatërrojë infrastrukturën dhe objektet industriale”, shkroi Serhiy Haydan në Telegram më 1 qershor.
Megjithatë, Hayday më 31 maj i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se janë të pabaza pretendimet që forcat ukrainase po rrethohen.
“Ushtria me qetësi po mbron pozicionet e saj”, tha ai, duke shtuar se 90 për qind e qytetit është dëmtuar dhe shumica e dëmtimeve janë “praktikisht të pariparueshme”.
Hayday po ashtu shtoi se trupat ruse nuk munden që ta marrin kontrollin e plotë të Luhanskut, rajon të cilin ushtria ukrainase po e mbron për katër muaj me radhë.
Ai po ashtu tha se Rusia ka sulmuar me raketa një uzinë kimike në Severodonjeck që ka acid nitrik.
Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka raportuar se forcat e tij kanë shënuar sukses afër qytetit jugor të Hersonit dhe po bëjnë përparime në pjesë të rajonit të Harkivit, që gjendet në lindje të kryeqytetit ukrainas, Kiev.
“Mbrojtësit tanë po tregojnë kurajë të madhe dhe kanë nën kontroll situatën në fronte pavarësisht faktit se ushtria ruse ka një avantazh të konsiderueshëm sa i përket pajisjeve dhe numrave”, tha ai gjatë një adresimi në orët e vona të 31 majit.
Ndërkaq, Komiteti Norvegjez për Refugjatë tha se në Severodonjeck janë të bllokuar deri në 12,000 persona dhe kanë nevojë për ndihmë.
“Ne kemi frikë se 12,000 civilë kanë mbetur të bllokuar në mes të luftimeve në qytet, pa qasje në ujë të bollshëm të pijes, ushqim, ilaçe apo energji elektrike”, tha ky Komitet.