Intel në Ohio mund të bëhet fabrika më e madhe e çipave në botë

Kompania amerikane e teknologjisë, Intel, ka njoftuar të premten se do të investojë deri në 100 miliardë dollarë për të ndërtuar kompleksin potencialisht më të madh në botë për prodhimin e çipave në Ohio, duke synuar të rrisë kapacitetin pasi mungesa globale e gjysmëpërçuesve prek gjithçka, nga telefonat inteligjentë e deri te automjetet.

Ky veprim është pjesë e strategjisë së Shefit Ekzekutiv, Pat Gelsinger, për të rikthyer dominimin e Intel në prodhimin e çipave dhe për të reduktuar mbështetjen e Amerikës në qendrat prodhuese aziatike, të cilat kanë një kontroll të ngushtë në treg.

“Një investim fillestar prej 20 miliardë dollarësh, më i madhi në historinë e Ohios, në një zonë prej 1000 hektarësh në New Albany do të krijojë 3000 vende pune, tha Gelsinger. Kjo mund të rritet në 100 miliardë dollarë me tetë fabrika totale fabrikimi dhe do të ishte investimi më i madh i regjistruar në Ohio”, tha ai për Reuters, duke shtuar se mund të bëhet “lokacioni më i madh i prodhimit të gjysmëpërçuesve në planet”.

Derisa prodhuesit e çipave po përpiqen të rrisin prodhimin, planet e Intel për fabrika të reja nuk do të lehtësojnë krizën aktuale të furnizimit, sepse komplekse të tilla kërkojnë vite për t’u ndërtuar.

Gelsinger përsëriti se ai priste që mungesa e çipave të vazhdonte deri në vitin 2023.

Për të rritur në mënyrë dramatike prodhimin e çipave në Shtetet e Bashkuara, administrata Biden synon të bindë Kongresin që të miratojë 52 miliardë dollarë financime për subvencione.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, tha të premten se Dhoma e Përfaqësuesve do të prezantojë së shpejti një projekt-ligj mbi konkurrencën për të ndihmuar në forcimin e investimeve gjysmëpërçuese dhe zinxhirët e furnizimit. Kjo do të përfshijë financimin prej 52 miliardë dollarësh.

Presidenti i SHBA-sw, Joe Biden, promovoi investimin e Intel të premten në një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë me Gelsinger dhe përsëri kërkoi nga Kongresi që të vepronte.