Instituti Rinvest prezantoi sot dy analiza të hartuara nga Visar Vokrri dhe Pëllumb Qollaku në kuadër të projektit ‘Përmirësimi i Politikave për të Përballuar Efektet Negative të Pandemisë së Shkaktuar nga COVID-19’ financuar nga KFOS. Në një format virtual dhe moderuar nga Drejtori Ekzekutiv Alban Hashani, kjo tryezë diskutimi tuboi një numër të konsiderueshëm pjesëmarrësish. Pëllumb Çollaku, bashkëpunëtorë i lartë në Riinvest, shpalosi disa aspekte krahasuese të ndikimeve të pandemisë në Kosovë dhe në vendet e rajonit. Ai vuri në dukje se Kosova dhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor në luftën kundër pandemisë COVID-19 kanë ndjekur një model të bazuar në shpenzime të vogla fiskale por me kufizime drastike të distancës sociale dhe aktivitetit ekonomik në përpjekjen për të sheshuar lakoren e infektimeve. Kjo strategji pritet të reflektohet me probleme më të mëdha ekonomike në rajon, por ka qenë e imponuar shkaku i sistemeve fragjile shëndetësore si pasojë e shpenzimeve të vogla qeveritare në shëndetësi në të kaluarën dhe stafit të limituar shëndetësor (i rrezikuar edhe më tej nga emigrimi i stafit mjekësor në BE). Kufizimi i aktiviteteve ekonomike është reflektuar dukshëm në sektorin e turizmit, transportit, industrive përpunuese dhe ndërtimtarisë, duke shkaktuar edhe krizë sociale pasi ka prodhuar goditje të padëshirueshme në tregun e punës.
Ndërkaq Drejtori Programor në Institutin Riinvest, Visar Vokrri, u përqendrua rreth masave të pakos emergjente të lansuara nga Qeveria e cila përfshinë rreth 15 masa të ndryshme në vlerë prej 180 milion Euro (më e madhja në rajon pas Serbisë). Megjithatë Vokrri nënvizoi se zbatimi i saj ngeci dukshëm, kështu qe nga vlera e përmendur janë disbursuar vetëm rreth 30% ose 60 milion Euro. Kriza politike dhe qeveritare dhe relacionet Qeveri – Kuvend ndikuan negativisht në mundësinë e ribalancit të Buxhetit duke pamundësuar krijimin e kushteve të domosdoshme për një efekt më të madh nëpërmjet implementimit të plotë të pakos. Një pjesë e bizneseve kanë konsideruar se nuk do te duhej të bëhej trajtimi linear por selektiv në harmonizim me shkallën e ndikimit të pandemisë në sektorë të caktuar. Në debatin që u zhvillua u inkuadruan ekonomistët Bedri Zymberi, Valmira Rexhbeqaj, Semra Turbetari, Muhamet Mustafa, Alban Hashani, duke tërhequr vërejtjen për faktin se ndikimet negative nga pandemia te aktivitetet dhe indikatorët ekonomik do të jenë më të mëdha se sa është pritur.
Ndër rekomandimet qenësore duhet të jenë mbajtja e numrit të ulët të infektimeve, kujdes i shtuar në zgjerimin e deficitit fiskal dhe kanaleve të ndërhyrjes, dizajnim i masave gjithëpërfshirëse duke zbutur efektet negative në biznese dhe tek shtresat e pambrojtura të popullsisë, si dhe zhvillim i kapaciteteve për implementim dhe monitorim të pakove fiskale emergjente dhe të rimëkëmbjes. Nga hulumtimet brenda kompanive në sektorë të caktuar, efekti negativ në shitjet shtrihet nga 20-80 % (në hoteleri e turizëm edhe më shumë) periudhën e parë mars deri në gysmën e majit dhe për t’u përmirsuar kjo në maj-qershor me një rënie (10-50%). U theksua se lajmi mirë është që tani për tani të ardhurat nga dërgesat e emigrantëve (remitancat) nuk kanë tendencë rënie në krahasim me vitin e kaluar, pastaj ka rifilluar edhe aktiviteti kreditor i bankave. Ekziston megjithatë pasiguri e madhe nëse efekti pozitiv që zakonisht është shprehur me një infusion nga ardhja e diasporës gjatë verës, do të ndodh këtë vit, e kjo targeton shumë aktivitete dhe ka një efekt të rëndësishëm shpërndarës. U adresua edhe situata më e re me rritjen e rasteve me infektime dhe u kërkua që të insistohet në zbatimin rigoroz të masave nga IKSHP, rritje të kapaciteteve për testim dhe monitorim të kontakteve dhe sankcionim të atyre që nuk zbatojnë rregullat.
Të theksojmë se Instituti Riinvest do të dalë në korrik me një raport përmbledhës lidhur me hulumtimet në kuadër të këtij projekti, duke dhënë një vlerësim me gjithëpërfshirës të ndikimit të COVID-19 në ekonomi si dhe rekomandime për masat dhe programin e rimëkëmbjes