Gatishmëria për t’u ballafaquar me një valë të re të mundshme të COVID-19 ka qenë tema e diskutimit mes ministrit të Shëndetësisë dhe krerëve shëndetësorë në vend.
Pas rritjes së rasteve aktive me COVID-19, ministri Rifat Latifi ka vizituar Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës duke biseduar me ekipin kujdestar për pacientët që po trajtohen aty.
“Ministri falënderoi ekipet për punën që po bëjnë, dhe së bashku edhe me drejtorin e SHSKUK, Valbon Krasniqi dhe drejtorin e Klinikës Infektive Arben Vishaj biseduan për organizimin e punës në frymën e rritjes së rasteve me Covid-19 dhe gatishmërinë për t’u ballafaquar në rast të rritjes së rasteve”, thuhet në njoftim të MSH-së.
Sipas njoftimit, Latifi është informuar për numrin e rasteve që kanë marrë trajtim gjatë 24-orëshit të fundit dhe ecurinë e tyre.
Aktualisht në Kosovë janë mbi 7200 raste aktive me COVID-19, pas rritjes enorme të rasteve të reja ditëve të fundit.
Në SHSKUK po trajtohen 90 pacientë nga COVID-19, prej tyre 34 me oksigjenoterapi.