Kompania teknologjike, Meta, prezantoi mbikëqyrjen prindërore në Instagram. Përditësimi do të jetë i disponueshëm fillimisht në rrjetin social të fotografive që kohët e fundit është kritikuar shumë për impaktin tek adoleshentët dhe fëmijët.
Por mjetet e mbikëqyrjes do të vijnë së shpejti edhe për pajisjet e realitetit virtual Oculus Quest.
Në Instagram kontrollet do të shfaqen në hapësirën e re “Family Center” ku prindërit mund të vendosin limite kohore dhe të kufizojnë aksesin në informacion gjatë përdorimit të aplikacioneve nga fëmijët.
Fillimisht prindërit do të mund të shohin një listë llogarish që fëmijët e tyre ndjekin si dhe çfarë llogarish i ndjekin ato. Prindërit gjithashtu do të njoftohen nëse fëmija i tyre ka raportuar një përdorues tjetër.
Përditësimi momentalisht është i disponueshëm vetëm në SHBA. Në vijim do të shtohen funksionalitete të reja si caktimi i orareve për fëmijët apo mundësia për të mbikëqyrur më shumë se një prind.
Funksionalitetet e reja ishin premtuar që prej dhjetorit.