Inspektorët në Gjilan kanë gjobitur me një mijë euro një furrë buke, pasi pesha e bukës nuk përputhej me deklarcionin.
Kështu bëhet e ditur në një njoftim të Komunës së Gjilanit.
“Drejtoria e Inspekcionit në Gjilan është e vendosur të mos tolerojë asnjë shkelje të të drejtave të konsumatorëve. Gjatë inspektimit në sektorin e bukës, në një furrë në qytet është konstatuar se pesha e bukës nuk përputhej me deklaracionin.
Inspektorët kanë ndërmarrë veprimet e duhura ligjore dhe subjektit ekonomik i kanë shqiptuar një gjobë në shumë 1000 euro, pasi nga kanë vërtetuar se buka që shitej për 500 gramë peshonte 70 deri në 80 gramë më pak”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se Drejtoria e Inspekcionit komunal në Gjilan i siguron qytetarët se ankesat dhe kërkesat e tyre do të shqyrtohen me seriozitet të plotë dhe se nuk do të tolerojë mashtrime në dëm të konsumatorit.