​Inflacioni në Turqi arrin nivelin rekord prej mbi 80%

Inflacioni në Turqi në terma vjetorë arriti një nivel të ri prej 83.4 për qind në muajin shtator, ndryshe nga ai prej 80.21 për qind të rezultuar në muajin paraardhës.

Sipas të dhënave zyrtare, kjo rritje e mprehtë e çmimeve të konsumit është pasojë e kolapsit të vazhdueshëm të lirës turke dhe një ulje të mëtejshme të normës bazë nga 13 për qind në 12 për qind, të shpallur javën e kaluar nga Banka Qendrore e Turqisë.

Monedha turke, e cila ka humbur më shumë se gjysmën e vlerës që nga fillimi i vitit, paraditen e së hënës këmbehej me 18.56 lira turke për një dollar.

Rritja e çmimeve të konsumit është një temë e nxehtë në Turqi, më pak se nëntë muaj para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

Për shumë turq rritja e çmimeve bëhet e vështirë për t’u përballuar, pasi 48 për qind e punonjësve marrin pagën minimale, e cila arrin në 5,500 lira turke, thënë ndryshe më pak se 330 dollarë.