Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë, përmes një letre të hapur drejtuar institucioneve të Kosovës, ka kërkuar rritjen e koeficientit të pagave si dhe përfitimeve tjera.
Në letrën që i drejtohet Qeverisë në detyrë të Kosovës, Ministrisë në detyrë të Shëndetësisë, Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) si dhe drejtorive të shëndetësisë të të gjitha komunave të Kosovës, është thënë se infermierët janë lënë pas dore në 20 vjetët e fundit.
Sipas kësaj Sindikate, infermierët vazhdojnë të punojnë në kushte të vështira.
“Ka ardhur koha që tani të veprohet që infermierëve t’ju plotësohen kushtet: Koeficienti i pagës 3.2, të ngrihet pagesa e ndërrimeve të natës për 100 për qind, të paguhen orët shtesë, të paguhet rrezikshmëria, të paguhet puna gjatë vikendeve për 50 për qind, të miratohet ligji i cili ua njeh infermierëve punën gjatë viteve 1990 deri 1999, punësimi i infermierëve të rinj si dhe të krijohen kushte më të favorshme për punë”, është thënë në letrën e Sindikatës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë.
Sindikata e Infermierëve rikujton se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur vitin 2020 si vit të infermierëve.
Kërkesa e Infermierëve të Kosovës bëhet pikërisht në ditën 12 maj kur shënohet “Dita Ndërkombëtare e Infermierisë”.
Pjesëtarë të kësaj Sindikate kanë kërkuar edhe në të kaluarën që t’iu bëhet një zgjidhje lidhur me kërkesën e tyre për ngritjen e koeficientit.
Personeli mjekësor në Kosovë ka qenë i sfiduar muajve të fundit pas shfaqjes së rasteve të prekura nga koronavirusi i ri.
Pas kontakteve me pacientë, disa mjekë dhe infermierë në Kosovë rezultuan pozitivë në testin për sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Aktualisht, një mjek specialist në Kosovë ka pagë prej rreth 600 eurosh në muaj, derisa infermierët marrin pagë prej rreth 400 eurove në muaj.