Incidenti i Osmanit në Aeroportin e Shkupit, AAC thotë se u respektuan rregullat

Ekipi i inspektorëve të Agjencisë së Aviacionit Civil (AAC), i udhëhequr nga drejtori Dragi Stojanoski, ka rishikuar provat dhe ka bërë kontroll në kompaninë që menaxhon Aeroportin e Shkupit, TAV, lidhur me ngjarjen në të cilën ishte përfshirë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

AAC ka njoftuar se gjatë inspektimit fillestar është konstatuar se shërbimet e aeroportit përgjegjës për kontrollet e sigurisë, në përputhje me përgjegjësitë e tyre të punës, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe kanë respektuar rregullat e vendosura sipas rregulloreve ndërkombëtare të zbatuara, duke mos lejuar anashkalimin e standardeve dhe procedura edhe nën presionin e personave që shoqëronin pasagjerin.

“Refuzimi për të kryer kontrollet standarde të sigurisë me të njëjtët pasagjerë, sipas të dhënave, ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe 2023 kur kontrollet e sigurisë pranohen vetëm pasi piloti i avionit ka refuzuar të pranojë pasagjerë në avion pa u kryer një kontroll sigurie. Nëse zyrtarët në TAV Maqedoni do të vepronin ndryshe nga rregullat e përcaktuara dhe do të lejonin lëshime dhe shmangie të procedurave të parapara, do të përballeshin me sanksione serioze nga Agjencia e Aviacionit Civil si organ përgjegjës për rregullimin e tyre”, theksojnë nga AAC, raportoi Telegrafi Maqedoni.