Pezullimi i Sadio Manes për “sjellje të pahijshme” shton trazirat te Bayern Munichu përpara ndeshjeve vendimtare, pasi kampioni gjerman po përpiqet të shpëtojë një sezon që është shndërruar shpejt në zhgënjim. Sulmuesi Senegalit nuk do të luajë fare në ndeshjen e së shtunës në Bundesligë kundër Hoffenheimit dhe do të gjobitet, njoftoi klubi të enjten.
“Sadio Mane, 31 vjeç, nuk do të përfshihet në skuadrën e FC Bayernit për ndeshjen e kësaj të shtune në shtëpi kundër Hoffenheimit 1899. Kjo për shkak të sjelljes së tij të keqe pas ndeshjes së Bayernit në Ligën e Kampionëve në udhëtim te Manchester City. Mane gjithashtu do të gjobitet”, tha klubi në deklaratën e shkurtër.
Ky veprim vjen pas raportimeve në mediat gjermane se Mane goditi bashkëlojtarin Leroy Sane pas humbjes 3:0 të së martës nga Manchester City, megjithëse klubi nuk dha ndonjë arsye të detajuar për dënimin e tij. Bayerni nuk dha detaje të mëtejshme për atë që kishte ndodhur në Angli pas humbjes 3:0 nga City. Po ashtu, nuk bëri të ditur se për sa kohë do të jetë i suspenduar Mane dhe çfarë gjobe do t’i shqiptohet. Incidenti u raportua fillimisht nga gazeta gjerman “Bild” dhe dyshohet se ndodhi në zhveshtore pas përfundimit të ndeshjes së parë çerekfinale të Championsit. “Bild” raportoi se Mane e kishte goditur Sanen në fytyrë pas një debati të ashpër në zhveshtore, si pasojë e mosmarrëveshjeve të mëparshme që i kishin pasur në fushë gjatë takimit. Mane dhe Sane u stërvitën të enjten së bashku me pjesën tjetër të ekipit të Bayernit, ndërsa sulmuesi senegalez u pa duke folur me trajnerin Thomas Tuchel. Është kthesa e fundit në muajt e dramës, pasi tifozët dhe mediat gjermane po ringjallin pseudonimin “FC Hollywood” që Bayerni kishte në vitet 1990, kur ishte i njohur po aq edhe për lojërat jashtë fushës sa arritjet e tij në futboll. Muajt e fundit do t’u jepnin skenaristëve shumë për të punuar. Portieri Manuel Neuer theu këmbën duke skijuar dhe më pas kritikoi klubin për shkarkimin e trajnerit të portierëve pas një kohe të gjatë. Sulmuesi Serge Gnabry vizitoi “Javën e Modës” në Paris dhe mori një qortim publik nga klubi. Julian Nagelsmann papritmas u shkarkua dhe u zëvendësua nga Thomas Tuchel. Në katër ndeshjet e para të Tuchelit në krye, Bayerni ka kaluar nga ndjekja e tre titujve në fokusimin e tij në Bundesligë pas eliminimit nga Kupa e Gjermanisë dhe humbjes së rëndë në udhëtim nga City, në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit. Mane u largua nga Liverpooli dhe u përshkrua si një ikonë nga trajneri Juergen Klopp. Ai tek ekipi gjerman ishte menduar të formësonte epokën e re të Bayernit kur firmosi kontratën deri në vitin 2025 në qershor, ndërsa Robert Lewandowski u largua për në Barcelonë. Pas një fillimi të fortë në Gjermani, sulmuesi nga Senegali dëmtoi këmbën në nëntor dhe humbi pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Që nga kthimi në fushë në muajin shkurt, Mane nuk ka shënuar dhe është përdorur kryesisht për paraqitje të shkurtra nga stoli. Për transferimin e tij, Bayerni i pagoi ekipit anglez 40 milionë euro dëmshpërblim, ndërsa Mane ka shënuar 11 gola në 32 ndeshje në të gjitha garat. Pezullimi i Manes nuk ka gjasa të ketë shumë ndikim në mënyrën se si Bayerni luan kundër Hoffenheim të shtunën, duke pasur parasysh se ai nuk kishte gjasa të startonte në këtë ndeshje, por ndikimi i plotë i incidentit në moralin e ekipit mbetet i paqartë. Dhe Tuchel, si Nagelsmann para tij, është ende duke luftuar për të marrë më të mirën nga një ekip që nuk ka lëvizur plotësisht nga Lewandowski. Hoffenheimi është i 14-i në tabelë, por në një seri prej tri fitoresh radhazi dhe është i motivuar për t’u përballur me Bayernin për shkak se po lufton për mbijetesë. Ndërkohë, Bayerni ka një epërsi prej dy pikësh ndaj Borussia Dortmundit, që luan të shtunën me Stuttgartin.