Inaugurimi i Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, ishte aktiviteti i radhës në të cilën mori pjesë sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e cila u jetësua si rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në fjalën e tij të rastit, kryeministri theksoi se hapja e kësaj qendre shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin tonë për të nxitur një kulturë të inovacionit dhe ndërmarrësisë brenda komunitetit tonë akademik, në ekonominë e shoqërinë tonë në përgjithësi.
“Qendra për Inovacion dhe Ndërmarrësi në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike do të shërbejë si nyje e rëndësishme e kreativitetit dhe e bashkëpunimit. Do të jetë një hapësirë ku iniciohen idetë, ku sfidat përballen me zgjidhje inovative dhe ku kultivohet fryma e ndërmarrësisë. Kjo qendër jo vetëm që do të avancojë përvojën mësimore të studentëve tanë, por gjithashtu do të kontribuojë në zhvillimin e ideve biznesore, teknologjive dhe zgjidhjeve, të cilat i adresojnë problemet reale të industrisë dhe të ekonomisë”, shtoi ai.
Më tej, siç tha kryeministri, lansimi i kësaj qendre do të mundësojë pajisjen e studentëve tanë me aftësitë, mendësitë dhe burimet e nevojshme për t’u ballafaquar me sfidat e botës moderne që po zhvillohet me shpejtësi marramendëse, derisa stafi akademik i fakultetit do të kenë kushte më të mira për punë kërkimore dhe për të marrë pjesë me projekte në programet e BE-së si Horizon Europe e Digital Europe, në të cilat Kosova është anëtarësuar rishtas.
Ndërkaq ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u shpreh e lumtur për inaugurimin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, të cilën e konsideroi hapësirë që do të krijojë një kulturë që mbështetë inovacionin dhe nxitë rritjen e ekosistemit të ndërmarrësisë, duke fuqizuar studentët, të diplomuarit, ndërmarrësit, inovatorët dhe ndërmarrësit potencial si individët apo studentë, të cilët me talentin dhe kreativitetin e tyre do të krijojnë ndërmarrje të reja inovative.
Si dëshmi e angazhimit për inovacion e ndërmarrësi, Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë është duke investuar në dy platforma tjera të rëndësishme: Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren – ITP, hapësirë prej 40 hektarësh si bashkë-investim me qeverinë gjermane, që tashmë popullohet me mbi 40 kompani vendore e ndërkombëtare dhe pjesëmarrës tjerë nga organizata joqeveritare e akademike; si dhe Tech Park Prishtina, hapësirë moderne në të cilën qeveria ka investuar 1.2 milion Euro, dhe e cila iu ka dhënë në menaxhim Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit – STIKK-ut, si përfaqësues i sektorit privat të TIK-ut.
Pas fjalëve hyrëse u bë edhe prerja e shiritit, ndërkaq kryeministri me të pranishmit vizituan ambientet e kësaj qendre ku panë nga afër laboratorët në të cilat do të mbahen trajnime dhe orë praktike nga studentët. Po ashtu në këtë qendër do të kenë mundësinë të përfitojnë edhe biznese të ndryshme të interesuara.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
I nderuari zëvendësministër z. Mentor Arifaj,
I nderuari profesor Qerim Qerimi, Rektor i Universitetit të Prishtinës,
I nderuari z. Ahmet Shala, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike,
I nderuari z. Muhedin Nushi, këshilltar i lartë dhe shef i Stafit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
Të nderuar profesorë, staf akademik dhe studentë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë për mua që të jem këtu bashkë me juve sot në këtë inaugurim të Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës. Hapja e kësaj qendre shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin tonë për të nxitur një kulturë të inovacionit dhe të ndërmarrësisë jo vetëm brenda komunitetit akademik tek ne, por edhe në ekonominë e shoqërinë tonë në përgjithësi.
Dua të shpreh mirënjohjen time për Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, për themelimin e kësaj qendre dhe njëherit të falënderoj Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për investimin në ndërtimin e saj.
Inovacioni dhe ndërmarrësia janë forcat shtytëse të progresit dhe të prosperitetit të shtetit dhe shoqërisë sonë. Qeveria jonë tashmë është duke investuar në dy platforma tjera të rëndësishme për zhvillimin e inovacionit në Kosovë. Është Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren – ITP, me një hapësirë prej 40 hektarësh, që është investim i përbashkët me qeverinë gjermane, e që tashmë popullohet me mbi 40 kompani vendore e ndërkombëtare dhe pjesëmarrës të tjerë nga organizata joqeveritare dhe akademike. Në kuadër të ITP-së, Qeveria jonë ka investuar edhe në projekte konkrete, si qendra për ekselencë digjitale, në kuadër të së cilës janë krijuar laboratori për printim dhe skanim 3D dhe qendra e të dhënave të rrjetit akademik dhe kërkimor të Kosovës (KREN), e së shpejti pritet edhe pilotimi i rrjetit 5G.
Ndërkaq, Tech Park Prishtina është një hapësirë moderne prej 4000 metra katrorë, ku qeveria ka investuar 1.2 milionë euro dhe e cila iu është dhënë në menaxhim Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit – STIKK-ut, si përfaqësues i sektorit privat të TIK-ut. Përmes kësaj platforme po mbështesim rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori, i cili ka potencial të jashtëzakonshëm ekonomik për vendin tonë.
Ndërsa sot, brenda Universitetit të Prishtinës, po e lansojmë këtë qendër, që është edhe një platformë tjetër e rëndësishme e ekosistemit tonë të inovacionit. Në synimin e saj të gërshetimit të akademisë me industrinë, është thelbësore, që kjo qendër t’i pajisë studentët tanë me aftësitë, mendësitë dhe burimet e nevojshme për t’u ballafaquar me sfidat, por edhe për t’i shfrytëzuar mundësitë e botës moderne, që po zhvillohet me shpejtësi marramendëse.
Qendra për Inovacion dhe Ndërmarrësi në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike do të shërbejë si nyje e rëndësishme e kreativitetit dhe e bashkëpunimit. Do të jetë një hapësirë ku iniciohen idetë, ku sfidat përballen me zgjidhje inovative dhe ku kultivohet fryma e ndërmarrësisë. Kjo qendër jo vetëm që do të avancojë përvojën mësimore të studentëve tanë, por gjithashtu do të kontribuojë në zhvillimin e ideve biznesore, teknologjive dhe zgjidhjeve, të cilat i adresojnë problemet reale të industrisë dhe të ekonomisë.
Nëpërmjet kësaj qendre, stafi akademik i fakultetit do të ketë kushte më të mira për punë kërkimore e shkencore dhe për të marrë pjesë me projekte në programet e Bashkimit Evropian, si Horizon Europe e Digital Europe, në të cilat Kosova është anëtarësuar rishtas. Kjo do t’iu mundësojë atyre të luajnë një rol kyç në drejtimin dhe frymëzimin e gjeneratës së ardhshme të inxhinierëve, inovatorëve dhe të ndërmarrësve. Prandaj, juve, stafin akademik, ju inkurajoj që të shfrytëzoni këtë mundësi për të avancuar njohuritë, mentorimin dhe kërkimin inovator, i cili do të formësojë të ardhmen e inxhinierisë mekanike dhe të aplikimeve të saj praktike në Kosovë.
Kurse studentëve u them se kjo qendër është e juaja, për të eksploruar, për të ëndërruar e për të krijuar. Shfrytëzoni mundësitë që ju ofron kjo qendër, trajtojini sfidat si përvoja mësimore dhe lejoni që kureshtja juaj për inovacion t’iu udhëheqë në studimet dhe në projektet tuaja. Me angazhimin dhe përkushtimin e të gjithëve, jam i bindur se Qendra për Inovacion dhe Ndërmarrësi do të jetë një katalizator për ndryshime domethënëse, jo vetëm brenda universitetit tonë të dashur, por edhe në komunitetin më të gjerë.
Në fund, më lejoni që edhe njëherë të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ata që kanë kontribuar në ngritjen e kësaj qendre. Së bashku, le t’i përqafojmë mundësitë e pakufishme që sjellin inovacioni dhe ndërmarrësia, ndërkaq punojmë drejt një ndërmarrjeje, e cila është edhe e përbashkët për një të ardhme më të ndritshme e më të begatë për vendin tonë, për brezin tonë, por edhe për ata, të cilët do të vijnë pas nesh.
Gëzuar e ju faleminderit!