Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në inaugurimin e objektit të ri të Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve, në kuadër të Agjencisë për Regjistrimin Civil, ceremoni në të cilën ishte bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dy zëvendësministrat, Bardhyl Dobra dhe Blerim Gashani, dhe drejtorin e Agjencisë së Regjistrimit Civil të Republikës së Kosovës, Blerim Camaj.
Me vizitën dhe përurimin e objektit të ri për prodhimin e pasaportave në Republikën e Kosovës, kryeministri Kurti theksoi se tashmë kushtet e punës për secilin zyrtarë publikë për këtë çështje që kërkon integritet të lartë personal dhe profesional janë shumë më të përshtatshme e të dinjitetshme.
“Vlera e gjithmbarshme e këtij objekti në punimet që janë kryer tashmë, është 1.5 milionë euro. Gjithsej janë 196 zyrtarë në aplikimin për pasaporta në Republikën e Kosovës, prej tyre janë 20 në Prishtinë, ndërkaq 95 zyrtarë i kemi te sektori për prodhimin e pasaportave, të cilët tash i kanë kushtet për punë të dinjitetshme, të përshtatshme. Nga ky takim e vizitë që patëm, ishte e qartë që zelli për punë është shtuar, por njëkohësisht edhe falënderimi i tyre për këto zyre të reja, në të cilat ata ndodhen tani”, u shpreh kryeministri.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke falënderuar qytetarët për mirëkuptimin që patën ditëve të fundit për shkak të bartjes së institucionit dhe për vonesat në ofrimin e shërbimeve, njoftoi se nga data 15 e këtij muaji fillon lëshimi i dokumentacionit të ri me kapacitete të dyfishuara, marrë parasysh kërkesat e larta për t’u pajisur me pasaporta, numri i të cilave nga 1 janari është rreth 124 mijë sosh.
Deklarimi i plotë për media i kryeministrit Kurti:
Bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, z.Xhelal Sveçlën, dy zëvendësit e tij, Bardhyl Dobrën dhe Blerim Gashanin dhe me drejtorin e Agjencisë së Regjistrimit Civil të Republikës së Kosovës, Blerim Camaj, sot edhe e vizituam edhe e përuruam objektin e ri për prodhimin e pasaportave në Republikën e Kosovës.
Është një çështje që kërkon integritet të lartë personal dhe profesional, ku cilësia bëhet siguri e siguria bëhet cilësi dhe me këtë rast bashkëbiseduam me punëtorët, me zyrtarët publikë aty, të cilët tash i kanë kushtet shumë më të përshtatshme për punën e rëndësishme dhe të ndjeshme që bëjnë, pra prodhimin e pasaportave.
Vlera e gjithmbarshme e këtij objekti në punimet që janë kryer tashmë, është 1.5 milionë euro. Gjithsej zyrtarë në aplikimin për pasaporta në Republikën e Kosovës janë 196, prej tyre janë 20 në Prishtinë, ndërkaq 95 zyrtarë i kemi te sektori për prodhimin e pasaportave, të cilët tash i kanë kushtet për punë të dinjitetshme, të përshtatshme dhe nga ky takim e vizitë që patëm, ishte e qartë që zelli për punë është shtuar, por njëkohësisht edhe falënderimi i tyre për këto zyre të reja, në të cilat ata ndodhen tani.
Meqenëse bëhet fjalë për një punë shumë të ndjeshme, ku siguria është tejet e rëndësishme, kërkojmë falje që nuk është e mundshme të vizitoni zyret kaq të mira me kamerat tuaja.