Iku për të nëntën herë nga burgu, SHKK: Faton Hajrizi i ka mbajtur 17 vite burg, i kanë mbetur edhe shtatë vite

Për të nëntën herë, i burgosuri Faton Hajrizi, ka arritur të arratiset nga burgu, i njëjti tashmë është shpallur në kërkim nga ana e policisë.

Hajrizi në moshën 15 vjeçare, në vitin 2000 kishte vrarë një ushtar rus, sipas tij, vrasjen e ka kryer pasi ushtari rus kishte sharë popullin shqiptar, transmeton Telegrafi.

Hajrizi, mbrëmjen e së dielës ka publikuar një video në platformën “TikTok”, ku edhe ka treguar arsyet e arratisjes.

“I falënderoj shumë përkrahësit e mi, edhe ata që bëjnë kritika ju përgjigjna pozitivisht. Nuk jam ai që policia e pasqyron. Unë jam Faton Hajrizi i cili si 14 vjeçar ka qenë në luftë. Unë jam Faton Hajrizi që kam vepruar në veri 2006-2007 për të mirën e këtij vendi. Nuk është normale unë me i mbajt 23 vite burg, 15 vjeçar kam rënë në burg e 40 vjeçar jam sot. Me ardh mbikëqyrësi që në kohën e Serbisë ka qenë oficer e më m’thanë mu qu prej gjumit në ora 09:00, 11:00 e ora 18:00. Nuk është në rregull pse mem provoku ai mua”, thotë i arratisuri nga burgu.

Lidhur me largimin e tij, Shërbimi Korrektues i Kosovës sot ka bërë disa sqarime, duke treguar se ai ishe larguar edhe disa herë nga institucionet korrektuese.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F.H ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak.

Gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ai ka përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, ka marrë pjesë në programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative. Bazuar në këto sjellje, ai ka kaluar në trajtim të avancuar dhe ka realizuar disa herë të drejtën e pushimit jashtë institucionit korrektues”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se, i dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit.

Më tej, Shërbimi Korrektues i Kosovës pohon se sipas rregullores për trajtimin e të burgosurve, të dënuarit mund të vendosen në një institucion të tipit të hapur nëse plotësojnë kriteret e mëposhtme:

– Janë shfrytëzues të benificioneve;

– Nuk kanë vepra të tjera në pritje për ekzekutim;

– Kanë dënim deri në 10 vite apo mbetje të dënimit deri në 10 vite.

Në komunikatë theksohet se i dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj.

“Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024. Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues. Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale”, vijon njoftimi.

Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate., ndërsa, zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave.

Lidhur me këtë rast, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues janë duke zhvilluar procedurat hetimore, dhe posa të përfundojë procesi, do të njoftoheni me të gjeturat.