IKSHPK thotë se është nën presion nga individë dhe organizata të ndryshme

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), u bën thirrje qytetarëve dhe individëve nga organizata të ndryshme që të ndalin presionet mbi këtë institucion dhe të mos pengojnë punën e tij.

“IKSHPK e kupton shqetësimin e secilit qytetar për statusin e gjendjes së tij shëndetësore, por nuk mund t’i nënshtrohet diktatit të secilit që vet-vlerëson se duhet të testohet, pasi që një përgjegjësi e tillë i takon IKSHPK”, thuhet në njoftim.

Instituti nuk emërton asnjë institucion apo individ që ndërlidhet me këto presione të pretenduara.

Sipas IKSHPK-së, nga data 8 shkurt deri më 26 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare, janë testuar gjithsej 6.479 raste të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 763 raste.