IKSHPK sot dhe nesër i teston qytetarët në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se sot dhe nesër do të bëhen testime për COVID-19 edhe në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

Testimi do të bëhet prej orës 9:30 deri në 13:00.

IKSHPK njofton se mostrat do të merren në hundë dhe fyt në baza vullnetare.

“Instituti Kombëtari shëndetësisë publike, përkundër situatës epidemiologjike e cila ditëve të fundit ka shënuar rënie të rasteve po vazhdon me testimin dhe sensibilizimin e qytetarëve në parrandalimin e COVID-19”.

“Ekipet e IKSHPK po vazhdojnë hetimin epidemiologjik dhe gjurmimin e rasteve gjithandej vendit. Task Team i IKSHPK ka organizuar testime plotësuese në sheshin “Zahir Pajaziti”: 1. Testimi bëhet prej orës 9.30 deri ora 13.00 më datë 29 dhe 30 dhjetor 2020; 2. Marrja e mostrave të hundës dhe fytit, në baza vullnetare për qytetarët që dëshirojnë të testohen me RT-PCR; 3. Procedura e marrjes së mostrave bëhet sipas protokoleve të IKSHPK nga ekipet me përvojë të cilat marrin mostra rregullisht në IKSHPK dhe në terren nëpër institucionet e ndryshme sipas indikacioneve epidemiologjike”.

“Duke pasur parasysh rëndësine e marrjes së mostrave për depistimin e rasteve të cilët nuk kanë shenja të sëmundjes. IKShPK apelon te të gjithë qytetarët që të vijnë të testohen në SARS-CoV-2, duke ju informuar gjithashtu se testimet vazhdojnë në IKSHPK dhe të gjitha Qendrat rajonale të shëndetësisë publike në Kosovë”.