IKSHPK paralajmëron shpërthim të vatrave të reja me koronavirusit në disa komuna

Në Kosovë nga IKSHPK-ja, janë  konfirmuar 69 raste pozitive me koronavirus, duke e çuar në 2 432 numrin e përgjithshëm të të prekurve.

IKSHPK ka njoftuar se është shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë.

Nga Instituti kanë apeluar te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

“Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar” thuhet më tej në njoftim.

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!

Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave.

Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.

Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.