Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka deponuar tek Avokati i Popullit kërkesën për fillimin e hetimeve për shkelje të të drejtave të njeriut dhe inicim në Gjykatën Kushtetuese të Ligjit NR. 08/L-196 për Pagat.
IKD-ja ka bërë të ditur të premten se ka kërkuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit që sipas kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, ta procedojë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik për vlerësim të kushtetutshmërisë në Gjykatën Kushtetuese.
“Me qëllim të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, reagimi i Avokatit të Popullit në këtë situatë është i domosdoshëm. Përmes kësaj letre, IKD kërkon nga Avokati i Popullit që ta trajtojë këtë çështje dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të iniciojë Ligjin NR. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese” thuhet në kërkesën e IKD.
IKD-ja më 22 dhjetor 2022 ka publikuar analizën “Pagat në Sektorin Publik”. Në këtë analizë, flitet për probleme serioze kushtetuese të Ligjit për Paga në Sektorin Publik.
“IKD ka gjetur se Ligji cenon sigurinë juridike të nëpunësve të sektorit publik, duke mos përcaktuar vlerën monetare të koeficientëve. Sa i përket uljes së pagave, Ligji ka përcaktuar rregulla adekuate për mbrojtjen e nëpunësve nga ulja e pagave. Por, IKD ka gjetur se Ligji i mbron këto rregulla vetëm për të ardhmen, por se nuk i aplikon për të kaluarën. Kjo pasi Ligji në fjalë nuk ka një zgjidhje adekuate në raport me nëpunësit e sektorit publik të cilët ndikohen negativisht nga ky Ligj”, thuhet në njoftimin e IKD-së.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) javën e kaluar e kanë deponuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë.