Analisti politik Ilir Ibrahimi ka thënë se ka një luftë politike të brendshme në mes partnerëve të koalicionit qeverisës për ‘ulësen’ në takimin e 4 shtatorit dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Të gjitha partitë politike besoj se e kanë të qartë se ky është një takim i një rëndësie të lartë dhe nuk besoj se do ta marrin rrezikun që ta sabotojnë një takim të tillë me veprimet e tyre që çojnë në interesin e partive politike, por jo të Kosovës”.
“Besoj që deri në momentet e fundit do të ketë bërryla në mes të anëtarëve të koalicionit, por në fund do të jetë e qartë, sepse në fund të fundit e bën të qartë edhe Shtëpia e Bardhë së kush do të shkojë në atë takim. Delegacioni i Kosovës, siç e sheh ligji dhe siç e ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e vet, do të udhëhiqet nga kryeministri dhe në rrethana normale do t’ia jepja të drejtën kryeministrit të përcaktojë se kush është ekipi i tij pa i vënë kushtëzime siç i janë vënë nga partnerët e koalicionit. Ndoshta për të qetësuar dhe mbajtur stabilitet për aq sa mundet do të ketë përfaqësim të dy partnerëve të tjerë të koalicionit. Kjo nuk është shenjë e mirë, sepse nëse kryeministrit i është dhënë besimi për të udhëhequr me qeverinë, atëherë besimi duhet të jepet i plotë. Nëse s’ka besim në kryeministrin ka mënyra të tjera të sfidohet, por jo duke insistuar për të pasu një përfaqësues patjetër aty”.
“Unë këtë e shoh si një luftë të brendshme në mes partive politike. Fatkeqësisht vazhdon të vihet interesi partiak para interesit shtetëror dhe kjo pa dyshim që e dëmton pak delegacionin e Kosovës, por në fund besoj se do të arrihet ajo që duhet të arrihet”.
Ai në Specialen e Klan Kosovës është shprehur i bindur se SHBA-të mund ta përdorin influencën e tyre për ta vendosur se kush do të jetë përfundimisht pjesë e takimit.
“SHBA-të e kanë bërë të qartë se çfarë janë pritjet nga ky takim, derisa ndihma amerikane ka qenë e vazhdueshme jo vetëm në ato të cilat i kemi parë, por edhe në ato që nuk i kemi parë shpesh. Nuk dyshoj që nëse ka nevojë ta përdorin forcën dhe influencën e tyre për të përcaktuar se kush do të jetë në takim do ta bëjnë edhe këtë”.
Ibrahimi ka thënë se lobi shqiptar amerikan mund të ketë një rol shumë të rëndësishëm në gjithë këtë proces.
“Sidomos tani kur jemi në fushatë zgjedhore lobi mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm. Ka pasë një venitje të lobit shqiptar amerikan që nga shpallja e Pavarësisë e këndej, ndoshta edhe me të drejtë se s’ka pasur çështje të mëdha që është dashur të trajtohen. Fatmirësisht kemi parë ringjallje dhe riangazhim të lobit shqiptar amerikan në Ëashington. Ka pasë një takim sot dhe do të ketë edhe nesër, derisa kam informata se do të ketë përfaqësues edhe nga shtetet e tjera”.
“Fuqia e lobit shqiptar amerikan nuk shihet vetëm nga prania e tyre në Ëashington, por nga prania e tyre në shtete kyçe ku e përcaktojnë edhe presidentin e ardhshëm. Lobi shqiptar amerikan në të kaluarën ka pasë përkrahje nga të dy krahët politikë dhe tani ka sinjale që një gjë e tillë do të vazhdojë edhe më tutje”.
Ai ka deklaruar se “është shumë me rëndësi që të ketë koordinim të spektrit politik në Kosovë me përfaqësuesit e shqiptarëve në Amerikë që të arrihet ajo që është arritur gjithmonë me bashkëpunim të mirë”.