Borussia Dortmund bën përpjekjen e fundit për të rinovuar kontratën me “xhevahirin” e skuadrës, Jude Bellingham.
Sipas asaj që raporton prestigjiozja Bild, drejtuesit e verdhezinjve ishin të gatshëm të bënin një sforco për të mbajtur në radhët e tyre britanikun të paktën deri në vitin 2026.
Paga e cila i është ofruar Bellingham shkonte deri në shifrën e 14 milionë eurove në sezon, një rrogë që do ta bënte më të paguarin tek Dortmund, por edhe një nga më të vlerësuarit në aspektin financiar në të gjithë Europën. Megjithatë, paratë nuk mjaftojnë në momentin që në lojë është një klub si Real Madrid me 19-vjeçarin që është i fiksuar me idenë për të veshur fanellën e spanjollëve sezonin e ardhshëm.
Prej ditësh, mediat e japin fakt të kryer transferimin e anglezit në Spanjë dhe mesa duket, edhe vetë Bellingham nuk pranon një tjetër opsion teksa synon që me “Los Blancos” të luftojë për titujt më prestigjiozë në Kontinent ndërsa me transferimin te galaktikët do të përfitonte edhe 20 milionë euro në sezon.