Besnik Berisha avokat i të akuzuarit për spiunazh në BIA-në serbe, Bedri Shabanit është deklaruar para trupit gjykues.
Berisha ka thënë se klienti i tij nuk mund të deklarohet sot pasi pak minuta para se të futej në sallë iu është dorëzuar një kopje e aktakuzës.
“Deklarimi i klientit është i pamundur për shkak se klientit tim pak minuta para se të hyj në sallë i është dorëzuar një kopje e aktakuzës ajo është voluminoze dhe kërkon kohë për ta lexuar”, ka thënë Berisha.
“Kam frikë se sot nuk kemi kushte për të vijuar tutje sepse është e pamundur brenda kësaj kohe të lexohet dhe zotri Shabani të deklarohet. Pata një takim blic më tha se ka nevojë ta lexoj. Në emër të klientit kërkojë që të drejtat e tij ta zbatohen”, ka shtuar avokati Berisha.
Ndërkohë kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri e ka pranuar këtë fakt se të akuzuarve sot iu është dorëzuar kopja e aktakuzës.
Edhe i akuzuari Bedri Shabani në fjalën e tij tha se sot nuk ka mundësi të deklarohet për arsyet që i përmendi avokati i tij.
“Unë pajtohem me atë që tha mbrojtësi tani për tani nuk mund të deklarohem derisa të lexoj aktakuzën. Një afat të arsyeshëm disa ditor në mënyrë që të kem mundësi të analizoj dhe të deklarohem”, deklaroi Bedri Shabani.