Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij, Kreshniku e Malsori, u arrestuan të shtunën nën dyshimin se janë të përfshirë në vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit, më 26 nëntor. Motivi i kësaj vrasje dyshohet se lidhet me vetëvrasjen e studentes 20-vjeçare nga Gllogjani, Heroina Mehmetaj, e cila ishte anëtare e kësaj familje, që i dha fund jetës së saj më 14 qershor 2020.
Megjithatë, dyshime janë hedhur se menjëherë një ditë pas vrasjes së trefishtë në Gllogjan, saktësisht më 27 nëntor, vetë i arrestuari Halil Mehmetaj kishte folur për RTK-në lidhur me këtë rast tragjik, për të cilin dje është arrestuar si i dyshuar, raporton Demokracia.com.
“Telefonatën e mramë, komunikimin e fundit që e ka bë, e ka bë Beqa, do të thotë baba i djalit, pesë minuta përpara më ka komuniku. Kështu që iu ka vonu për aq kohë sa e ka ditë që autobusi me mbërri në atë kohë, e ka thirr për herën e dytë edhe veç e ka dëgjua atë tmerr, tmerr”, kishte thënë i arrestuari Halil Mehmetaj për RTK-në.
Për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për personin e njëjtë, Demokracia.com ka kontaktuar zëdhënësin e Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçin, por ai nuk ka pranuar të japë më shumë informacione rreth rastit tragjik.
“Përveç asaj që është thënë mbrëmë në konferencë nga kryeprokurori nuk mund t’iu konfirmoj dhe t’iu jap detaje asgjë më tepër për shkak të ndjeshmërisë së rastit”, ka thënë Nikçi për Demokracia.com.
Tre të arrestuarit e mbrëmshëm sot pritet të dalin para Gjykatës Themelore të Pejës, si të dyshuar në përfshirjen e vrasjes së trefishtë në Gllogjan javë më parë.
“Sot, në ora 16:00 do të mbahet seanca dëgjimore për caktim të paraburgimit ndaj tre të pandehurve të dyshuar për vrasje”, ka thënë për Demokracia.com, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, mbrëmë vetëm ka konfirmuar arrestimin e tre personave, por nuk ka dhënë më shumë detaje.
“Pas ndodhjes së rastit kemi filluar hetimet intensive me ndihmën e Prokurorisë së Shtetit. Pas punës intensive janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokuroria i ka ndaluar për 48 orë”, ka thënë kryeprokurori Kurtmehaj.
Në sulmin ndaj një autobusi të linjës Gjakovë-Deçan, më 26 nëntor mbetën të vdekur 3 persona, dy nxënës dhe shoferi.