Hyseni: Pas kësaj marrëveshje, brenda 12 muajve do të vijë njohja nga Serbia

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, në një intervistë për RTV Dukagjinin nga Uashingtoni ka thënë se brenda 12 muajsh do të ketë njohje nga Serbia.

“Kjo marrëveshje është hap domethënës që do të çoj në njohje reciproke me Serbinë. Jam i bindur se brenda 12 muajsh do të vijë njohja nga Serbia”, tha ai.

Hyseni thotë se kjo siguri vjen nga puna që po bënë Kosova me partnerët ndërkombëtarë.

“Ka një përkushtim të veçantë nga Presidenti Trump, Presidenti Macron dhe Kancelarja Merkel që këto çështje në Ballkan të përmbyllen njëherë e mirë. Në fund të fundit edhe Evropa edhe Amerika këtë kontest të hapur e shohin si cenim të sigurisë evropiane”.

Hyseni ka thënë se Mini-Schengeni ka qenë i papranueshëm kur Kosovë nuk ka qenë pjesë e barabartë.

“Tash ne do të jemi palë e barabartë në këtë proces”, tha ndër të tjera Skënder Hyseni.