Hysaj do të largohet nga Napoli

Elseid Hysaj tashmë e ka njoftuar Napolin se nuk dëshiron ta ripërtërijë kontratën, sepse synon të largohet nga klubi, ka konfirmuar Mario Giuffredi, menaxheri i futbollistit shqiptar.

Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë është pjesë e Napolit që prej vitit 2015 dhe kontrata e tij me klubin mbaron në qershor të vitit 2021, transmeton Gazeta Express.

Giuffredi tregoi se Hysaj e ka kërkuar largimin nga Napoli dhe këtë ua ka bërë të ditur drejtuesve të klubit.

“Ne e kemi informuar Napolin se nuk do ta ripërtërijmë kontratën sepse dëshirojmë të largohemi”, ka thënë Giuffredi për Radio Kiss Kiss.

“Këtë ia kemi thënë presidentit para 20 ditëve, prandaj ai do të përpiqet ta gjejë zgjidhjen më të mirë për Napolin”, shtoi ai.

Në kontratën e Hysajt ekziston një klauzolë lirimi në vlerë 50 milionë euro e vlefshëm vetëm për klubet jashtë Italisë, por ajo mund të mos jetë e nevojshme fare duke e ditur se Napoli rrezikon ta humbasë shqiptarin pa asnjë qindarkë.