Humolli nga OBSH-ja: Këtë javë pritet shtim i rasteve me koronavirus në Kosovë

Isme Humolli, drejtoreshë e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë se kjo javë pritet të jetë kritike sa i përket situatës me COVID-19.

Ajo në emisionin Desku në KTV ka thënë se presin që gjatë kësaj jave të ketë rritje të shpejtë të numrit të të infektuarve

“Faza kritike nënkupton rritjen e numrit të Covid-19 ku arrihet piku i të prekurve. Prej 7-14 ditë, kjo javë pritet të jetë faza kritike presim rritje të shpejtë të numrit të rasteve me Covid-19. Faza kritike ka të bëjë me shpërthim si pasojë e kontakteve. Ideja është që nëse veç në fazën e parë kemi propozuar masat parandaluese, sidomos tani vetizolimi dhe mbajtja e distancës janë dy elemente që ndihmojnë në parandalimin e sëmundjes”, ka thënë ajo.

Duke folur për numrin e testimeve, ajo ka thënë se në Kosovë me shumë profesionalizëm po testohen kontaktet e të infektuarve.

Ajo tutje ka shtuar se dëshira e njerëzve është që të testohen, por sipas saj, duhet të shikohet a kanë apo nuk kanë simptoma të koronavirusit.

“Nëse shkojmë në këtë masë pa seleksionim të rasteve me rrezik të lartë, atëherë do të kishim mbetur pa teste dhe mundësia për të vazhduar punën do të ishte e vogël”, ka thënë ajo.

Humolli thotë se duhet besuar profesionistëve.

“Është ndër rastet e rralla kur sistemi shëndetësor është i përgatitur në këtë nivel në Kosovë. Fillimet e përgatitjes për sukses kanë qenë shumë më herët. Edhe këto seleksionime që po bëhen për testime janë të mbështetura në rekomandimet e OBSH-së. Asnjë vend nuk mund t’i përmbushë të gjitha nevojat e popullsisë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se numri i të prekurve në vend është brenda parashikimeve, derisa ka konsideruar se situata është e qetë.

Sipas saj, raste të të prekurve janë vetëm në familjen e ngushtë.

“Në qoftëse mbesim në nivel që këta persona të infektuar nuk e shpërndajnë, atëherë do të mbetemi me një numër të ulët të të prekurve”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se shëndeti publik dhe e gjithë veprimtaria shëndetësore bëhet në bazë të ligjeve.