Futbollistet e Kosovës e kanë pësuar humbjen e pestë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2022”. Të premten mbrëma në Manavgat të Turqisë, Kosova humbi 3:0 nga Rusia. Kosova mbetet e katërta me 10 pikë nga nëntë ndeshje. Ndërkohë Rusia është e dyta me 21 pikë.
Çështja e fituesit është zgjedhur në minutat e parë të ndeshjes. Ruset, që ishin vendase, shënuan për 1:0 që në minutën e gjashtë. Marina Fedorova shënoi golin e parë. Alsu Abdullina shënoi për 2:0 në minutën e nëntë, ndërsa Fedorova realizoi për 3:0 menjëherë në minutën e 12-të. Gola të tjerë nuk pati.
Ndeshjen e parë me Rusinë, të luajtur më 6 mars në Gjermani, Kosova e humbi 5:0. Të premten pranoi dy gola më pak.
Kosova mbyll këto kualifikime me një ndeshje tjetër shumë të vështirë. Më 1 dhjetor në Breda, Kosova luan ndaj Holandës, aktualisht superfuqi e futbollit të femrave.