Humb kontrollin duke vozitur veturën, vdes 16 vjeçari në Ferizaj

Një 16 vjeçar ka vdekur në një aksident trafiku pasi humbi kontrollin mbi veturën.

Policia njofton se deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve ishte duke lëvizur në rrugën lokale, nga fshati Dradani në drejtim të fshatit Mirosale dhe për shkak të mospërshtatjes të shpejtësisë së lëvizjes dhe kushteve të rrugës, kthesë, drejtuesi humb kontrollin mbi automjet dhe përfundon jashtë rrugës.

“Si pasojë e këtij aksidenti të komunikacionit, humb jetën drejtuesi automjetit A.K ( M/SH/K), i moshës 16 vjeçare ( vdekjen e tij, e ka konfirmuar në vendin e ngjarjes, mjeku nga qendra e emergjencës nga spitali rajonal i Ferizajt”, thotë policia.

Me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, trupi i pajetë, do të dërgohet në Institutin e Mjeksisë Ligjore në Prishtinë.

Njësia rajonale e komunikacionit rrugor nga drejtoria rajonale e policisë në Ferizaj , i ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe po e heton rastin .