Edhe një person ka humbur sot jetën si pasojë e infektimit me koronavirus. Viktima është nga komuna e Podujevës.
Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.
Ai përmes një postimi në Facebook, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të të ndjerit, dhe ka kërkuar nga qytetarët që t’iu përmbahen udhëzimeve të IKSHPK-së.
Ndryshe deri më tash 116 persona kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë në Kosovë.
Postimi i plotë i Rudarit:
U pikëllova shumë me lajmin që mora sot, për shkuarjen e hershme e të papritur në amshim të shokut tim të gjeneratës, fqiut tim të mirë, Ajfer Fetahu, i cili kishte kohë për të gjithë dhe ishte i dashur për të gjithë.
Që nga ditët e para të angazhimeve te rezistences ndaj regjimit pushtues serb, Ajferi ishte i angazhuar pothuajse në secilin proces, ndaj dhimbja për ndarjen nga jeta është shumë e madhe.
Miku im para disa ditësh kishte rezultuar pozitiv me virusin Covid-19, i cili pamëshirshëm po merr jetë njerëzish në mbarë botën, por edhe në vendin tonë.
Në këto momente të dhimbjes së madhe jam me familjen Fetahu dhe bashkëndjej me ta.
Ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e njeriut të mirë!
I përjetshëm kujtimi për Ajferin
Edhe në këto momente dhimbje u bëj thirrje qytetarëve t’u përmbahen udhëzimeve të IKSHPK-së dhe ta japin kontributin në mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe të familjeve!