Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka qëndruar sot në Podujevë, ku me kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës së Podujevës, Naim Fetahu kanë bërë hapjen e fushatës dhe shpalosjen e programit qeverisës.
Hoxhaj ftoi qytetarët e Komunës së Podujevës ta votojë kandidatin Naim Fetahu me numër 10, pasi Podujeva është ndalur në kohë dhe përgjegjësia për këtë i takon LDK-së dhe dy kundërkandidatëve Shpejtim Bulliqi dhe Nexhmi Rudari.
“Në Podujevë është ndalur koha. I keni tre shembuj se si qeverisin partitë politike, sot në vitin 2020. Podujevën, e cila ka mbetur në vend, Prizrenin ku qeverisë VV-ja dhe është një qeverisje e dështuar dhe Ferizajn ku qeverisë Partia Demokratike e Kosovës, e cila është një shembull se si qeveriset në nivelin lokal. Prandaj e ftoj çdo qytetar të Podujevës që kësaj here t’ia japë votën Naim Fetahut”, tha Hoxhaj.
Ai shtoi se vota për PDK-në është votë për një Kosovë dhe një Podujevë më të fortë.
“Në mesin tonë nuk është kryetari Kadri Veseli, në mesin tonë nuk është presidenti Hashim Thaçi dhe ne jemi të lënduar, të goditur dhe të prekur në këtë situatë. Nuk ka mënyrë më të mirë, më të duhur dhe më të drejtë për ta mbështetur kauzën e shokëve tanë në gjykatë, për ta mbështetur Kosovën që të jetë një vend i konsoliduar dhe i fortë se atëherë kur Partia Demokratike është e fortë. Vota që i jepet Naim Fetahut dhe PDK-së është votë për një Kosovë më të fortë, për një Podujevë më të fortë.”, tha Hoxhaj.
Kandidati i PDK-së për kryetar të komunës së Podujevës, Naim Fetahu tha se me keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e qeverisjen 20 vjeçare të LDK-së, qyteti i Podujevës ka mbetur i pazhvilluar.
“Sidomos gjatë pandemisë kemi pasur keqmenaxhim e keqpërdorim të madh dhe korrupsion më të madhin në vend. Kemi pasur blerje të produkteve pesë herë më të larta se me çmimin e tregut. Në këtë kohë komuna jonë ka funksionuar pa drejtor të shëndetësisë dhe pa drejtor tështepisë së shëndetit”, tha ai.
Tutje ai shpaloi programin e tij qeverisës duke potencuar që do t’i japë prioritet përmirësimit të kushteve për rininë, barazisë gjinore në qeverisje, kualitetit të stafit në arsim dhe do të ketë trajtim të dinjitetshëm për kategoritë e dala nga lufta.
“Tërë këtë periudhë bizneset janë larguar nga komuna jonë, duke shkuar në komuna tjera si Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Lipjan. Ne planifikojmë të krijojmë një park industrial dhe në 100 ditëshin e parë do të bëjmë studimin e fizibilitetit. Po ashtu, për të larguar burokracinë për bizneset do të krijojmë një zyrë të veçantë në komunë. Podujeva është qyteti, rinia e të cilit është larguar më së shumti. Ne duhet ta mbajmë rininë në komunën tonë duke e modernizuar qendrën rinore, duke funksionalizuar teatrin, duke krijuar një biblotekë dinjitoze.”, tha Fetahu gjatë paraqitjes së programit të tij.
Pas përfundimit të prezantimit para mediave kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj dhe kandidati për kryetar të komunës, Naim Fetahu takuan qytetarë të shumtë në sheshin e Podujevës.